Prokuroria Speciale ka dërguar në Gjykatën Themelore listën e plotë me afër 20 mijë emrat që cilësohen si veteranë mashtrues.

Po ashtu, aktakuzë është ngritur ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit të luftës së UÇK-së.

Aktakuza është ngritur ndaj: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

E ky i fundit në një prononcim dhënë sot ka thënë se sipas tij aktakuza e ngritur nga Prokuroria është banale.

Ai thotë se listat me emrat e atyre që Prokuroria pretendon se kanë përfituar jashtëligjshëm nga statusi i veteranit të UÇK-së, janë fyerje për vetë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Si  fillim e kam thënë që kjo është një aktakuzë banale, edhe gjithë këto publikime janë bërë në shpërputhje me ligjin. Në këtë rast është dashur ta kryejnë punën prokuroria e pastaj të flitet ose të publikohen”, ka thënë Jashari.

Tutje, Jashari ka thënë se veteranët duhet të ngrisin padi ndaj prokurorit i cili është marrë me hetimin e këtyre listave.

“Unë mendoj që këta veteranë të cilët janë fyer me këto lista si të rrejshëm, duhet të ngritin padi ndaj prokurorit i cili ka keqpërdorë detyrën dhe ka traguar jo profesionalizëm me këto hetime. Mendoj që përveq trajtimit dhe masave, prokuroria duhet të kërkojë falje për futjen  e veteranëve të vërtetë në këto lufte. Dhe ma e keqja e kësaj është kur fyhet dinjiteti i veteranit, duke e njollosur me këto lista edhe vetë dinjitetin e veteranit”, ka thënë Jashari.

Nga 20 mijë veteranët që hynë jashtëligjshëm në listë, Zona Operative e Dukagjinit është zona më e prekura.