Mësohet identiteti i shqiptarit të ekzekutuar me armë në Spanjë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Sipas mediave spanjolle, ai është Fatmir A., i dënuar më parë për vrasjen e një 26-vjeçari të ndodhur në Cambrils në Shkurt të vitit 2008. Policia spanjolle dyshon se 43-vjeçari Fatmir A. është ekzekutuar për hakmarrje.

Pas daljes nga burgu, shqiptari jetonte në Reus, në provincën e Tarragona, Katalonjë. 43-vjeçari u ekzekutua me armë rreth orës 00:45 të së mërkurës.

Banorët e zonës kanë lajmëruar policinë , e cila në momentin e mbërritjes në vendngjarje e gjeti të pajetë Fatmir A. Dëshmitarët u thanë hetuesve se dëgjuan disa të shtëna me armë. 43-vjeçari mendohet se u qëllua nga një person në distancë të afërt. Ky i fundit më pas u arratis me një makinë me xhama të zinj.

E shkuara kriminale e Fatmir A.

Më 29 Shkurt të vitit 2008, 43-vjeçari shqiptar ekzekutoi me armë një 26-vjeçar në një pikë karburanti në Cambrils. Ai u arrestua më 20 Maj pas hetimeve të policisë, i cili u identifikua si autor i vrasjes së të riut. Në atë kohë, shqiptari mbante dokumente bullgare të falsifikuara. Krimi i ndodhur para 10 viteve u cilësua si larje hesapesh për çështje droge dhe prostitucioni.