Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, duke e vlerësuar momentin historik dhe rëndësinë që ka integrimi euro-atlantik i vendit tonë, u drejtohet të gjithë qytetarëve të vendit që të deklarohen pozitivisht në referendumin e 30 shtatorit, duke besuar thellë se kështu realizohen edhe synimet shekullore shqiptare për t’u bashkuar me botën e qytetëruar perëndimore.

“Në të vërtetë, që nga Sami Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Ferhat Draga, ka vazhduar amaneti rilindës për orientimin properëndimor të kombit tonë”, citohet në kumtesën e ITSHKSH-së.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni vlerëson se është interes jetik i shqiptarëve në Maqedoni që të deklarohen PËR në këtë referendum, duke mos lejuar që të përsëriten histori të kaluara të këtij rajoni të trazuar.

Sipas këtij institucioni  me integrimin euro-atlantik të Maqedonisë hapen edhe perspektiva për zhvillimin e shkencës, arsimit, kulturës dhe kultivimit e mbrojtjes së identitetit tonë kombëtar.

“Është, po ashtu, edhe përgjegjësia dhe vendosmëria intelektuale ajo që na shtyn të jemi të kujdesshëm për të ardhmen tonë në këtë vend, ndërsa duke i besuar, me këtë rast, edhe komunitetit miqësor ndërkombëtar, që na mbështet në këtë synim, jemi të bindur se rruga jonë e vetme si shtet dhe si komb është integrimi euro-atlantik, që merr udhë përmes PO-së së këtij referendumi”, konsideron Skender Asani, drejtori i ITSHKSH-së.