Ish-trajneri i Manchester Unitedit, David Moyes, beson se Liverpooli nuk është mjaftueshëm i mirë për ta fituar titullin e Premierligës këtë sezon, përkundër fillimit të mrekullueshëm që ka pasur deri më tani.

Liverpooli janë në krye të tabelës së Premierligës pas gjashtë ndeshjeve, dy pikë para Chelseat dhe kampionëve në fuqi, Manchester Cityt. Për më tepër, ata e mbajnë rekordin për mbrojtjen më të mirë, pasi që kanë pranuar vetëm dy gola këtë sezon, përcjell Gazeta Express.

Por, Moyes, ish-trajneri i Manchester Unitedit dhe Evertonit, nuk beson se  Liverpooli do të arrijë ta ngre trofeun e Premierligës në fund të këtij sezoni.

“Liverpooli kampionë? Jo, nuk mendoj kështu. Mendoj se ata kanë një skuadër shumë të mirë, por kur i shikon skuadrat e kaluara të Liverpoolit, ata ishin të mrekullueshëm, si kur kishin Xabi Alonson, Javier Mascheranon, Steven Gerrardin dhe Fernando Torresin”, ka thënë Moyes.

“Edhe kjo është një skuadër e mirë e Liverpoolit, nuk e di nëse është po aq e mirë sa skuadrat e tjera të Liverpoolit”.

“Janë duke luajtur me një stil të mirë, sidomos lojtarët e fazës së sulmit janë të mrekullueshëm, dhe mendoj se për shkak të kësaj, ata me të vërtetë janë të rrezikshëm”.

Sezonin e kaluar, Liverpooli ishin shumë të rrezikshëm kur sulmonin, megjithatë kishin probleme të vërejtshme në repartin e mbrojtjes. Por, Kloppi ka arritur ta përmirësojë këtë gjë gjatë nëntë muajve të fundit.

Në janar ata e transferuan mbrojtësin Virgil van Dijk, ndërsa këtë verë e transferuan portierin Alisson Becker. Kjo ka bërë që deri më tani ata ta kenë mbrojtjen më të mirë, me vetëm dy gola të pranuar.