Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës është pyetur rreth qëndrimit të deputetes së LDK’së, Teuta Rugova, e cila shpesh po del në kundërshtim me qëndrimet e partisë.

Isa Mustafa tha se nuk e kanë diskutuar çështjen e deputetes Rugova, sepse, sipas tij, “ne jemi ballafaquar me atë problem. Ne nuk e kemi vetëm Teuta Rugovën e cila ka dalë nganjëherë nga rendi i partisë. Ne edhe në mandatin e kaluar kemi pasur disa deputetë, të cilët votonin kundër meje”.

Kryetari i LDK’së tha se këta deputetë i kanë lënë ashtu, të marrin mend vetë, edhe Teuta duhet të marrë mend vetë, dhe të përcaktojë se me kënd është.

“Nëse është me neve rri me neve, nëse nuk është me neve ajo vendos me kënd është”, shtoi Mustafa.

“Deputeti duhet ta respektojë vetveten dhe ta dijë se me votën e kujt ka ardhur në Kuvend. Në qoftë se nuk e di pastaj më vonë e merr vesh siç po e marrin vesh disa deputetë çka kanë vepru në mandatin e kaluar”, tha Isa Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë së LDK’së.