Të gjithë duhet të   përqendrohemi  në  programin strategjik zhvillimor të Ulqinit

 

Gjekë Gjonaj

Koha javore: Zotëri Nrekiq,  që nga gjysma e muajit maj të këtij viti  Jeni emëruar kryetar i Komunës së Ulqinit. Është formuar pushteti i ri prej pesë subjektesh politike, pas zgjedhjeve vendore.   A e vështirëson  apo e lehtëson ky numër kaq i madh partish  funksionimin e ekzekutivit?

Është e vërtetë se  koalicioni në pushtet përbëhet nga pesë  parti politike. Secila nga ato kanë qëndrimet dhe injteresat e veta. Kjo, natyrisht se reflektohet në punën tonë të përditshme.   Ka shumë  barriera  ne disa vende  të punës. Mirëpo, ato  duhet t’i kapërcejmë, mbase  në Zyrën e kryetarit  Komunës së  Ulqinit   nuk ka politikë.  Aty, në mandatin tim,  të gjithë duhet të   përqendrohemi  vetëm në  programin strategjik zhvillimor të Ulqinit.

Koha javore: Ky është mandati Juaj i parë si kryetar i Komunës së Ulqinit. Në çfarë gjendje është komuna, gjegjësisht në çfarë kushtesh financiare, kadrovike dhe hapësinore dhe cilat janë problemet më të mëdha me të cilat  ballafaqoheni?

Situata financiare në Komunën e Ulqinit është shumë e vështirë. Sipas një analize  të fundit, 31 maj 2018 të këtij viti rezulton se  borxhi i përgjithshëm i kësaj komunë është 53 milionë euro. Nga kjo shumë  25 milionë  i kemi marrë kredi ( hua)  nga KW banka gjermane  për të cilat ka garantuar qeveria e Malit të Zi. Borxhi   ndaj kontraktuesve  është  rreth 2 milionë euro. Për kontribute të papaguara punonjësve të komunës  kemi  borxh 5.7  milionë euro, kurse për kontribute të punëtorëve në ndërmarrje publike  themelues i të cilave është komuna  kemi pa paguar  rreth 11 milionë euro.  Megjithatë besoj  se  brenda dy vitesh të ardhshme financat do të konsolidohen.

Koha javore: A keni arritur të shlyeni ndonjë pjesë të këtij borxhi gjatë  qeverisjes Suaj  më pak se njëqind ditë?

Prej ardhjes sime në krye të Komunës së Ulqinit, kam arritur t’u shlyhen  të gjitha pagat e mbetura  punëtoreve të komunës për muajin qershor, korrik dhe gusht bashkë me kontributet.  Përveç kësaj kam paguar edhe kontributet në shumë prej 200.000 euro të gjithë   punonjësve të cilët  shumë vite më parë  kanë  fituar të drejtën e pensionit. Po ashtu ua kemi paguar  kontributet edhe atyre punëtorëve  në disa ndërmarrje publike  të cilat nuk kanë pasur mundësi tua paguajnë.

Koha javore: Në cilat lëmi e keni fokusuar interesimin Tuaj  lidhur me prioritetet që i keni evidentuar gjatë fushatës zgjedhore dhe për të cilat keni premtuar se do t’i realizoni.  Kuptohet se ende ka shumë kohë deri në realizimin e tyre, por a ka filluar ndonjë aktivitet në këtë drejtim?

Ulqini  për fat të keq  ende vazhdon të jetë  i pazhvilluar, pa infrastrukturë të nevojshme, sepse  në këtë qytet shumë vite nuk është punuar si duhet.  Këtij qyteti i mungon shumëçka dhe i duhen shumë mjete financiare për të hyrë  në destinacionet   e njohura turistike në Mal të Zi dhe në Evropë. Pa investime të reja në infrastrukturë nuk ka  përparim  të cilësisë së jetës të qytetarëve   dhe vetë ofertës turistike e as  hapje të vendeve të reja të punës  e rritje të punësimit të banorëve. Interesimin tim  kryesor e kam fokusuar në  investime në infrastrukturë  komunale dhe në komunikacion,  të cilat mendoj se janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve dhe për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, si dy veprimtari kryesore ekonomike. Pas përfundimit të asfaltimit të aksit rrugor Ulqin-Krythë,  , segmentit të ri rrugor nga bulevardi “ Skënderbeu” deri te  bulevardi “ Teuta”, trafostacionit të ri për furnizimin me energji elektrike, ndërtimin e urës në Millë  të Poshtme, rrjetin e ujësjedhës – kanalizimit, ndriçimin në Qytetin e Vjetër ( Kala, )  i kemi gati  edhe 19   dokumente planifikuese të cilat së shpejti do t’i miratojmë.  Në bashkëpunim me ministrinë përkatëse do të  bëjmë gjithçka është e mundur që të ringjallim  ekonominë e Ulqinit, të forcojmë zhvillimin ekonomik dhe të ndalojmë shkuarjen jashtë qytetit e shtetit të  të rinjve tanë të arsimuar. Deri në fund të muajit do të themelojmë ndërmarrjen e re publike për parkimin e makinave.  Në plan kemi edhe  ndërtimin e Portit të peshkut në Gjeranë, valorizimin e Adës,  kripores, Kalasë, Valdanosit e Shasit. Realizimi i këtyre dhe projekteve  të tjera të planifikuara, veçmas ndërtimit të hoteleve të reja me pesë yje t nga ana e kompanisë së njohur “ Karisma” në Plazhin e Madh,   besoj se gjatë  mandatit tim katërvjeçar do të  ndryshojnë për të mirë  imazhin dhe pasqyrën  e deritashme të këtij   qyteti me rrethinë.

Koha javore: Sa i përket zhvillimit të kulturës , sa është këtë vit e gatshme komuna për t’i përkrahur aktivitet kulturore dhe të  avancojë infrastrukturën  në fushën e kulturës ?

Kulturën duhet ta zhvillojmë sa më shumë. Së pari duhet bërë një plan strategjik për zhvillimin e saj. E, jo si deri më tani të organizojmë aktivitete kulturore ad-hok. Duhet te përqendrohemi se cilat festivale i duhen Ulqinit. Sidomos do të përpiqemi që të rikthehet kinemaja në Ulqin,  të cilën  ky qytet e kishte në kohën e komunizmit.    Shpresoj se, pas premtimit të ministrit aktual të  Kulturës, ajo do te rihapet  vitin e ardhshëm. Hapësira me Kala ku organizohet Skena Verore është e vogël. Për këtë arsye ne mendojmë që prapa saj të hapim një amfiteatër i cili do t’i përmbushë të gjitha kërkesat për përmbajtjen e aktiviteteve kulturore verore në këtë qytet.

Koha javore: Cili është bashkëpunimi me Ministrinë e Sportit, pasi që ajo këtë vit  është mjaft aktive në drejtim të përkrahjes së sporteve në nivel të shtetit?

Ne kemi bashkëpunim të mirë me të gjtiha ministritë. Pra edhe me Ministrinë e Sportit. Komuna e Ulqinit gjithmonë e ka mbështetur sportin. Këtë tradite do ta vazhdoj edhe unë. Per Klubin   e futbollit  të  “Otrant Olimpikut”  i kemi dhënë  10 mijë euro. Ditëve të ardhshme do t’u ndajmë edhe një shumë tjetër të hollash. Te gjitha klubet sportive qe kanë perspektivë  e janë te licencuara ne  do t’i mbështesim. Por, siç jeni në dijeni, ka shumë klube  të tjera sportive të paregjistruara,  të cilat nuk mund të marrin subvencione nga Ministria e Sportit.

Koha javore: Në bazë të vendimit të ministrisë përkatëse është caktuar numri maksimal i punëtorëve në administratë, shërbime publike dhe  ndërmarrje komunale  në të gjitha komunat e Malit të Zi.  Kur pritet të ndodh procesi i zvogëlimit të numrit të punëtorëve   edhe në komunën e Ulqinit?

Ky është një proces i dhimbshëm, por ne duhet të përshtatemi në rrjedhat e integrimeve evropiane dhe racionalizimi bëhet për këtë çështje. Thjesht ne duhet të respektojmë ligjin në fuqi dhe të  përmbushim standardet që i shkruan Unioni Evropian. Me ligj jemi të obliguar të  bëjmë zvogëlimin e vendeve të punës. Dhe këtë do ta bëjmë. Administrata komunale është e ngarkuar me 230 punëtorë. Tridhjetë për qind  e tyre janë tepricë. Ne jemi në fazën e përgatitjes së sistematizimeve  të reja të vendeve të punës, pas të cilave do të fillojmë  me zvogëlimin e punëtorëve në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike.

Koha javore: Roli dhe misioni i organizatave joqeveritare në zhvillimin e shteteve demokratike, domethënë  edhe të Malit të Zi,  i cili   synim kryesor ka  Bashkimin Evropian, është për t’u respektuar. Çfarë  bashkëpunimi keni me  sektorin civil ?

Në komunën tonë kemi disa organizata joqeveritare. Me të gjitha ato kemi një bashkëpunim të mirë. Gjysmën e pagesave  të mjeteve për vitin e kaluar ua kemi paguar. Edhe pjesën tjetër do tua paguajmë sa më parë që të mundemi. Komuna nuk do t’i mbesë borxh askujt. Nga sektori civil  kam kërkuar raporte pune, sepse duhet të dimë se në çfarë mënyre shpenzohen paratë e komunës.

Koha javore: Zyrtarisht u mbyll edhe një sezon  turistik veror në Ulqin. Sipas Jush ishte ky një sezon i suksesshëm apo pjesërisht i dështuar?

Sezoni i sivjetmë turistik në Ulqin ka qenë i mirë. Megjithatë ne mendojmë se  mundet dhe duhet të jetë më i mirë. Për këtë arsye në takimin e fundit me  Trupit koordinues për përcjelljen e sezonit turistik kam  kërkuar  nga të gjithë ata që merren me turizëm që menjëherë pa  humbur shumë kohë të  japin propozime  dhe  të paraqesin ide të reja për përgatitjen e sezonit të ardhshëm turistik.   

Koha javore: Në emër të lexuesve  dhe drejtuesve  të Kohës javore  ju dëshirojmë suksese në punën e filluar dhe dëshirojmë t’i përmbushni zotimet e thëna brenda mundësive objektive, me qëllim që Ulqini me rrethinë   të prosperojë dhe të  jetë strehë e sigurt për  të gjithë qytetarët vendas dhe mysafirët e  të huaj.