Gonzalo Higuain e ka shpëtuar skuadrën e tij të re Milanin nga humbja ndaj Cagliarit në udhëtim me golin e tij të parë në fanellën kuqezi të dielën mbrëma.

Sulmuesi argjentinas, që iu bashkua kuqezinjve këtë verë nga rivali Juventus, shënoi duke e kaluar edhe portierin kundërshtar në fillim të pjesës së dytë duke ia siguruar një barazim 1-1 Milanit ndaj Cagliarti në “Sardegna Arena”.

Vendasit e nisen furishëm takimin dhe e gjeten rrjetën e portës së Gianluigi Donnarummas herët në minutën e katërt, kur Joao Pedro shënoi pas një topi të kthyer nga shtylla pingule.

Një pjesë e parë e kontrolluar nga Milani por në të cilën më e rrezikshme ishte Cagliari, u mbyll 1-0.

Pas dy ndeshjeve të para pa gol, Gonzalo Higuain doli në skenë rreth 10 minuta brenda pjesës së dytë dhe shënoi golin e tij debutues për Milanin në Serie A, që ishte i mjaftueshëm për t’ia siguruar një pikë dhe shmangien e disfatës skuadrës së tij.

Skuadra e Gennaro Gattusos ishte dukshëm më e mirë në këtë pjesë lojë, duke mbajtur posedim të lartë të topit dhe krijuar shtatë raste, pesë nga të cilat përfunduan në drejtim të portës së Cagliarit por jo brenda rrjetës.

Skuadra vendase nuk pati as edhe një goditje drejt portës së Milanit në këtë pjesë.

Milan tani ka katër pikë pas një fitoreje dhe një barazimi dhe një humbjeje, ndërsa Cagliari ka pesë pikë pas pesë javësh.

Milan renditet në vendin e 12-të, por me një ndeshje më pak të zhvilluar se kundërshtarët.