Të gjithë shtetasit evropianë, emigrantë në Gjermani që nuk kanë një vend pune, mund të depërtohen nga autoritetet e emigracionit nëse nuk arrijnë, ose nuk munden të gjejnë punë brenda gjashtë muajsh.

Alarmi është lëshuar nga “Radio Këlni”, me një shërbim në emisionin në italisht “Cosmo”, i cili ka transmetuar dëshminë tronditëse të një gruaje italiane, të cilës i ishin dhënë 15 ditë afat për të gjetur një punë, ose në të kundërt do të riatdhesohej me forcë.

“Nëse do të jetë e vërtetë, sjellja e Gjermanisë do të ishte shumë e rëndë dhe do të godiste parimet e vetë BE-së”, – komenton për agjencinë italiane të lajmeve “Ansa”, Riccardo Merlo, Sekretar i Ministrisë së Jashtme italiane, duke nënvizuar se “do të ishte një paradoks: Italia është akuzuar, sepse përpiqet të mbrojë Europën nga emigracioni i paligjshëm dhe Merkeli që është duke goditur një të drejtë themelore të qytetarëve të Bashkimit Europian”.

Ndërkohë, gruaja italiane tregon se është thirrur nga zyra për emigrantët në Gjermani, e cila i ka bërë një farë ultimatumi. “Më kanë komunikuar se kisha 15 ditë kohë, duke parë se nuk mund të mbaja veten time, për të gjetur një punë: përndryshe do të më riatdhesonin dhe se do të më paguanin edhe udhëtimin mua dhe fëmijëve të mi nëse nuk do të isha në gjendje që një gjë të tillë ta bëja unë”.

Gruaja, ka shtuar se kishte hequr dorë nga puna për shkak të shtatzënisë dhe se më pas ishte divorcuar, duke mbetur kështu pa asnjë të ardhur.

Pas kërkesës për ndihmë sociale dhe një pritjeje prej tre muajsh, paralajmërimi mbërriti. Por nuk është një rast i izoluar dhe shumë prej emigrantëve të tjerë kanë pasur komunikime të ngjashme, fillimisht me fjalë dhe pastaj me letër.