Gazetarja e njohur e BBC, 40-vjeçarja Rachael Bland, ka humbur sot betejën me kancerin e gjirit. Vetëm një ditë më parë, gazetarja përloti mijëra zemra në mbarë botën me një postim në rrjetet sociale, ku thoshte se i kanë mbetur edhe pak ditë jetë. Ajo ka ndërruar jetë mesnatën e kaluar, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga familjarët e saj, përmes një postimi prekës.

“Bukuroshja jonë guximtare Rachel vdiq paqësisht këtë mëngjes e rrethuar nga familja e saj. Jemi të shkatërruar por ajo do të dëshironte që të falenderoja çdokënd që ishte I interesuar për historinë e saj ose që i dërgonte mesazhe mbështetëse. Nuk e keni idenë se sa të rëndësishme ishin ato për të. Steve dhe Freddie xxx”, thuhet në mesazhin e familjarëve.

Bashkëshorti i saj Steve u shpreh për BBC se: ‘Vdekja e Rachel la një boshllëk të madh në familjen tonë të vogël që nuk do të mundim ta mbushim kurrë. Ajo ishte shumë e talentuar në punën që bënte po ashtu një motër, vajzë, hallë,mbesë dhe grua e dashur por më e rëndësishmja një nënë shumë e vyer për Freddin.’

“Kam frikë se koha ime ka ardhur miqtë e mi. Dhe krejt papritur. Kam vetëm pak ditë jetë, është vërtetë surreale. Faleminderit shumë për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë”, shkruante Bland në ‘Twitter’.

Muajin e kaluar ajo tha se ishte në një “garë kundër kohës” për të botuar një liber me kujtime për djalin e saj dyvjeçar, Freddie, dhe besonte se ajo kishte “më pak se një vit” jete.