Nga Arian Galdini
Rrallë herë ka ndodhur në historinë e kësaj bote, që një President i zgjedhur i cili ka qenë edhe Kryeministër në kohë lufte dhe paqeje, edhe komandant lufte dikur, të bëjë një fushatë kaq këmbëngulëse për ndarjen e territorit të vendit të tij.
Kryesisht në Afrikë ndodh shpesh që luftëtarët e lirisë kur vijnë pushtet shndërrohen në diktatorë të pamëshirshëm.
Rasti i Kosovës po bëhet në plotninë e tij një rast sui generis.
Por të vijmë tek Hashimi.
Çfarë e shtyn Hashimin që ti shkojë me kaq kokëfortësi kësaj udhe ku pak-kënd ka në krahë?
Mos vallë një vizion hyjnor, një ëndërr e dërguar prej lart, një shpatë a kryq në qiell, kanë shkaktuar këtë konvertim gati gati fetar të Hashimit?
Apo lideri popullor që të gjithë e duan dhe besojnë, papritmas ka parë përtej dhe është i gatshëm të shkojë i vetëm atje sepse e di që të gjithë do ti shkojnë pas?
Mos vallë e ka patur programatike këtë zgjidhje që në krye të herës dhe tani i erdhi momentumi i tij për ta kthyer ne realitet?
Përgjigjet do të ishin të gjitha mohuese tê rrepta, ngase Hashimi nuk na ka thënë se ka fol me Zotin, përveçse me Vuçiçin për këtë punë.
Nga ana tjetër, ndonëse President legjitim i votuar nga Koalicioni Qeveritar, Hashimi është qartësisht prej disa vitesh lideri që e ka vendosmërisht kundër shumicën e qytetarëve të Kosovës.
Gjithashtu, kurrë nuk e ka pasur në program e as e ka përmendur këtë tezën e korrektimit të kufijve.
Po atëherë, përse Hashim Thaçi e ka nisur me kaq turravrap këtë stinë të re politike me axhendën e korrektimit të kufijve?
Shkon me Vuçiçin në Austri, meret vesh me Vuçiçin për ta dështuar takimin e Brukselit, e kështu me rradhë.
Del në studio televizive, jep intervista, Konferenca Shtypi, shkruan editoriale dhe njofton madje edhe se do të shkojë në SHBA për të takuar Donald Trumpin për të diskutuar për çështjen e korrektimit të kufijve.
Tia nisim nga ky i fundit.
Me siguri Hashim Thaçi e ka harruar se detyra e një Presidenti të një vendi të vogël është që ti përdorë të gjitha energjitë, aftësitë, kapacitetet e tij për ta bindur një President të një vendi të madh, për atë çka është më e mira dhe aspirata e vendit të vogël.
Pra, nëse Thaçi shkon tek Donald Trump për të vijuat fushatën e tij për tezën e korrektimit të kufijve, neve na duhet veç të shpresojmë se Presidenti Trump e ka më shumë për zemër Kosovën dhe shqiptarizmën sesa Hashimi.
Gjasat janë që në fund të gjithë kësaj historie, neve të gjithë të kuptojmë se e gjitha kjo ka qenë një lojë PR e dakorduar e 3 liderëve të Ballkanit, Vuçiç – Thaçi – Rama,  për të fituar vëmendje brenda e jashtë vendeve të tyre, për të sigruar audienca në Kancelaritë më të larta, e kësisoj për tu bërë këta përcaktues e të avantazhuar në zhvillimet e reja politike.
Sepse, që kufijtë të korrektohen dhe SHBA e BE ta pagëzojnë këtë si zgjidhje, do tê thotë që lufta u bë kot, pavarësia u shpall kot, që Pakti i Stabilitetit dhe MSA-të janë bërë kot, që Progres Raportet dhe Opinionet e përvitshme të KE janë bërë kot, që KFOR, UNMIK, EULEX, NATO janë qasur kot në Kosovë, që diplomacia perëndimore për njohjet e Pavarësisë së Kosovës ngado në Glob qenka shpenzuar kot, që Proçesi i Berlinit është kot, që trysnia dhe kushtëzimi ndërkombëtar me njohjen e Pavarësisë së Kosovës për integrimin europian të Serbisë paskan qenë kot, Pavarësimi i Malit të Zi paska qenë kot, etj, etj.
Edhe sikur vetë Presidenti i SHBA Donald Trump ta përdorë realisht të gjithë fuqinë e tij politike që të përmbysë gjithçka për këtë zgjidhje me korrektim kufijsh, unë vështirë se e besoj se SHBA do tia japin bekimin e tyre një  çakërdisjeje të tillë.
Përndryshe, nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci duhet me çdo kusht ti bashkohen Kosovës, sepse kështu e do këtë punë Hashim Thaçi, atëherë përse nuk duhet Ulqini, Tuzi, Plava, Gucia , etj ti bashkohen Shqipërisë?
Le ta zhbëjmë edhe Malin e Zi. Një pjesë e Malit të Zi ti bashkohet Shqipërisë, një pjesë tjetër Kosovës dhe pjesa e mbetur le ti ribashkohet Serbisë, apo jo?
Po u hap kjo hulli e korrektimit të kufijve, kush na thotë se mund ta ndalim vetëm aty ku po na thonë Thaçi me Vuçićin?
E në fund.
Ja ta zëmë se korrektimi i kufijve do të sjellë një marrëveshje historike Serbi – Kosovë me përfundim njohjet reciproke të këtyre 2 shteteve.
Veç kush e siguron Hashimin se ekziston ajo fuqi madhore e ai vullnet që ti bindë Rusinë, Kinën dhe sidomos 5 vendet e BE që ta njohin Pavarêsinë e Kosovës?
Po sikur korrektimi të ndodhë, marrëveshja historike të firmoset, Serbia ta njohë Kosovën si shtet tê pavarur dhe në fund Serbia të pranohet anëtare e BE dhe Kosova të mbetet gjithësesi në limbo?
E di që është pyetje tejet naive kjo,  ndërkaq që edhe besimi i Hashimit se ka gjetur zgjidhjen e artë është gjithëaq naiv.
Atëherë pse kjo fushatë e Hashimit?
Serbia fiton gjithçka këtu, qoftë edhe nga zhurma globale e krijuar nga hedhja e kêsaj teze.
Së pari, Serbia meret për e mirëqenë si njê vend që e ka tejkaluar traumën dhe fajêsinë e luftês dhe krimeve të saj.
Së dyti, Hashimi ia heq lakun nga e BE nga fyti Serbisë duke e zhbërë dhe zhvleftësuar kërbaçin  europian mbi Serbinë se nuk ka integrim në BE pa njohjen e Kosovës.
Së treti, Hashimi me këtë fushatë, po krijon prezumimin publik se janë SHBA ato që kanë ndryshuar qëndrim e kësisoj gishti i fajësisë duhet drejtuar andej.
Me pak fjalë, mirënjohja dhe besimi e besnikëria që kanë shqiptarët tek SHBA, vendosen nën gjyq publik në mënyrë tinzare nga Presidenti i Kosovës.
Së katërti, fushata e Hashimit ka arritur të sigurojë edhe dy mbështetësit e saj publikë në Komisionin Europian.
Ata janë vetë Komisioneri për Zgjerimin z. Johannes Hahn dhe znj. Mogherini.
Të dy zyrtarë mediokër dhe plotësisht të rastësishëm në politikën e vendeve përkatëse si edhe në KE.
Madje mund të themi se Johannes Hahn e ka në formimin e tij kulturën e bixhozit përderisa ka ardhur në politikë si ish Drejtor Ekzekutiv i Novomatic. (Ah që të mos harroj. A nuk ju duket si rastësi e çuditshme rritja progresive në Ballkanin Perëndimor e lojërave të fatit e kazinove me Apex, etj, që prej kohës kur ka ardhur në Komisionin Europian, ish – Drejtori Ekzekutiv i Novomatic?)
Të tillë zyrtarë nuk kanë ideale, bindje, qëndrime.
Të tillë zyrtarë janë përfaqësues klientelash dhe u shërbejnë axhendave pragmatike. Mirëpo, dalja e Hahn dhe Mogherinit në mbështetje të tezës së Thaçit për ndryshim kufijsh është po njëlloj tinzare sepse e vendos BE në sytë dhe mendjet e shqiptarëve si një destinacion ku për të mbërritur ne duhet të paguajmë kosto të larta me gjymtim të trupit tonë territorial.
Dukshëm, Fushata e Hashimit po i vendos shqiptarët me shpatulla për muri ku Perëndimi sipas pandehmës së tij, i ka tradhëtuar e braktisur.
Madje ky, dmth Hashimi, ka dalë me pathos për ta bërë të zëshme dhe ta përfaqësojë nismën e tij për korrektim kufijsh si rezultat i realpolitikës së dhimbshme ku zgjidhje më të mirë nuk ka në horizont.
Serbia nuk do ta pranojë kurrë njohjen e Kosovës, thotë Hashimi.
Po të korrektojmë kufijtë Serbia mund të na njohë dhe Perëndimi do ta duartrokasë këtë si një marrëveshje historike.
I vetmi problem që ka teza e Hashimit është se ai po sheh gishtin, pra marrëveshjen me Vuçiçin, por nuk po sheh dot hënën që tregon gishti.
Ajo hënë është larg e nuk premton asgjë.
Serbia e ka gjithçka për ta fituar.
Kosova e ka gjithçka si një lojë fati me risk tepër të lartë.
Por pse po e bën Hashimi këtë fushatë?
Naiv nuk e besoj se është.
Me Zotin nuk flet.
E as nga takimi 4 sekonda me Trump në darkën e përvitshme që Presidenti i SHBA shtron për udhëheqësit botërorë që marin pjesë në Asamblenë e OKB nuk ma ha mendja se do ketë ndonjë mesazh të kriptuar sido që ta intepretojnë marketuesit e Fushatës së Hashimit këtë punë.