Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot deklaroi se në Turqi nuk ka krizë ekonomike dhe i ftoi turqit që të mos shfrytëzojnë valuta të huaja gjatë pagesave të brendshme.

“Ne jemi në periudhën e ngritjes. Mos besoni se ka krizë. Të gjitha këto janë manipulime, nuk ka krizë. Duke u përforcuar, ne lëvizim drejtë së ardhmes”, deklaroi Erdogan në fjalimin e tij në një takim në Ankara.

Presidenti turk iu referua edhe dukurive të pagesave të brendshme në deviza, si në rastin me qiratë e banesave dhe objekteve afariste, duke bërë thirrje që këto transfere të bëhen në lira.

“Mos u gënjeni me ato manipulime. Në këtë vend nuk ka qira në dollarë dhe euro. Nga tani transaksionet e tilla do të jenë në lira turke. Këtu është Turqi, jo SHBA”, porositi Erdogan.

Ai theksoi se në Turqi mjeti për pagesë është lira turke dhe të gjitha transaksionet dhe shitblerjet duhet të realizohen në valutën kombëtare.

Erdogan më parë në disa raste u bëri thirrje turqve që kursimet e tyre në deviza të cilat i ruajnë në shtëpi, t’i këmbejnë në lira turke, si një nga masat për përforcim të kursit të valutës kombëtare.

 	Турска-лира-ЕПА

Që nga fillimi i vitit, vlera e lirës turke në krahasim me dollarin u zvogëlua për rreth 40 për qind, që rezultoi me rritjen e shkallës së inflacionit dhe deri në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

Si masë për ndalimin e rritjes së inflacionit dhe për stabilizimin e valutës kombëtare, Banka Qendrore Turke javën e kaluar solli vendim për rritjen e shkallës themelore të interesit në 24 për qind edhe krahas kundërshtimit të Erdoganit, që kamatat i kualifikon si “burim i të gjitha të këqijave”.

Disa ekspertë ekonomik i rekomanduan Ankarasë që të marr kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që të sigurojë stabilizimin e lirës, por Qeveria turke i hodhi poshtë propozimet e tilla, duke theksuar se mjete do të grumbullojë përmes investimeve të huaja direkte.