Shkruan: Xhelal NEZIRI

 

Ka shumë qytetarë që ende hamenden se çfarë të bëjnë këtë të dielë, pra më 30 shtator. Në këtë ditë duhet të votohet në referendumin për Marrëveshjen e Prespës, e cila i vë pikë problemit 27 vjeçar të Shkupit me Athinën, një mosmarrëveshje që ka mbajtur të bllokuar Maqedoninë në përcaktimin e saj për integrim në NATO dhe BE.

Kjo ditë është vlerësuar si historike pasi do të përcaktojë të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të saj. Historike këtë ditë e kanë quajtur edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët si asnjëherë më parë udhëtuann në Shkup për të dhënë porosinë e tyre.

Këto porosi si duket nuk janë marrë me aq seriozitet jo vetëm nga ana e një pjese të qytetarëve, por edhe nga bartës të funksioneve shtetërore në vend. Presidenti i shetit, Gjorgje Ivanov, nga një vizitë në Detroit të SHBA-ve ka thënë troç qëndrimin e tij se nuk do të votojë në referendum, që i bie se do ta bojkotojë.

“Unë isha një nga ata që kanë dhënë votën time për Republikën e Maqedonisë, në vitin 1991, për konstituimin e saj si shtet i pavarur dhe sovran, me emrin dhe identitetin e saj. Dy herë kam marrë besimin e qytetarëve për të mos lejuar ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit të shtetit. Kam marr besimin që të mos pranoj idetë dhe rekomandimet që rrezikojnë identitetin kombëtar, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën dhe modelin e bashkëjetesës. Unë nuk heq dorë nga premtimi im andaj më 30 shtator nuk do të dal të votoj”.

Është kjo një aventurë e rrezikshme e Ivanovit, i cili gjatë dy mandateve sa shërbeu si president shteti, nuk arriti asnjëherë të ngritet mbi interesat e ngushta partiake të VMRO-DPMNE-së. Si një “kamikaz” politik ai veproi edhe gjatë krizës politike dhe të sigurisë në vitin 2016, kur amnistoi të gjithë ata që u gjetën nën hetime, apo edhe pas zgjedhjeve parlamentare kur refuzonte të dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë. Si “kamikaz” politik vazhdoi të veprojë edhe me mosnënshkrimin e ligjit të gjuhës shqipe dhe të ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, duke dalë mbi Parlamentin si oran më i lartë ligjvënës.

Tani kur kjo parti ka një qëndrim laraman, ku u lihet hapësirë secilit të vlerësojë individualisht se si të veprojë të dielën, presidenti i shtetit të Maqedonisë në fakt merr anën e atyre që insistojnë në “bojkot”. Ivanov tani po vepron si promovues dhe mbrojtës i interesave të një fraksioni brenda VMRO-DPMNE-së, i afërt me qendrat ruse të politikës, pa marrë parasysh se kjo parti konservatore maqedonase, që nga themelimi në fund të shekullit XIX e deri para disa viteve, nuk ka pasur asnjë dilemë në orientimin e saj pro-perëndimor.

Midis Perëndimit dhe Lindjes si kulturë dhe orientime gjeopolitike, presidenti i shtetit e zgjedh të dytën, duke shkelë me dy këmbë edhe qëllimet strategjike shtetërore që datojnë që nga themelimi i shtetit. Ai shkel mbi qëndrimet e tij të shprehura vite me rradhë se NATO dhe BE janë garancë më e mirë për ekzistimin e Maqedonisë, se integrimi në këto struktura do të sjellë të mira për të gjithë qytetarët apo se çdo marrëveshje kompromisi duhet të shkojë në referendum, ku qytetarët do të vendosin nëse do të pranohet. Para se të zgjidhet president shteti, në një emision debativ në televizionin publik të Maqedonisë, Ivanov si profesor universitar kishte thënë se bashkimi i maqedonasve etnik në një shtet mund të bëhet vetëm me integrimin në BE andaj edhe ky integrim është patriotizmi më i madh. Sipas tij, pjesa e Prinit (Bullgari) dhe pjesa e Egjeut (Greqi) tani më janë pjesë e BE-së, kështu që ka mbetur të integrohet vetëm pjesa e shtetit amë.

Kjo i bie se Ivanov tani punon kundër interesave jo vetëm të shtetit, por edhe të etnisë që i takon. Bojkotuesit e referendumit nuk e kanë për qëllim interesin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve, por interesin e tyre të ngushtë. Në këtë interes egocentrik kanë gjetur edhe qendra politike destruktive, të cilat kanë llogari tjera gjeostrategjike.

Një qëndrim të ngjashëm me të Ivanovit kanë mbajtur edhe politikanët e hapësirës gjuhësore shqiptare në Ballkan. Ata kanë thënë se bashkimi i shqiptarëve në një shtet mund të bëhet vetëm nëse Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por edhe Mali i Zi dhe Serbia bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo nga shkaku se në këtë Bashkim kufiri midis shteteve është i padukshëm, kurse midis Luksemburgut dhe Francës, për shembull, është vetëm një vijë e bardhë e ndërprerë në një rrugë të Shengenit.

Ivanovi e dha thirrjen për bojkot nga Detroidi i Amerikës dhe me këtë sikur dëshiron të çojë një porosi të koduar te votuesi pro-perëndimor i VMRO-DPMNE-së se ky qenka gjoja një qëndrim që vjen nga Perëndimi. E njëjta strategji përdoret edhe në tentimin për të mjegulluar votuesin shqiptar të Maqedonisë, të cilit thirrjet për bojkot u vijnë nga donkishotë që jetojnë në SHBA apo BE, e që nuk duhet nëse janë të manipuluar apo të paguar nga kundërshtarët e NATO-s dhe BE-së.

Andaj duhet thënë troç se, nëse Ivanovi kalkulon me interesa të një klani partiak, është e çuditshme se si te një pjesë e qytetarëve ende ka hamendje se çfarë duhet të bëjnë të dielën.

Është dita kur votohet për rrënimin e kufijve në Ballkan, për një standard më të mirë jetësor, për një shëndetësi dhe arsim kualitativ, për një bujqësi e blektori fitimprurëse, për investitorë të huaj e vende të reja të punës… Pra, votohet për atë që e kanë ëndërruar gjenerata të tëra. Vendoset cilën rrugë do të marrë vendi në këtë udhëkryq të madh: drejt Perëndimit demokratik e të zhvilluar apo drejt Lindjes autokratike e të paqëndrueshme. E çfarë ka këtu të paqartë që dikush të ketë hamendje? /