Trupat e emigrantëve nga Bangladeshi dhe Shri Lanka të cilët humbën jetën në aksident komunikacioni në afërsi të Shtipit janë humbur në institucionet e sistemit.

Asnjë institucion nuk dëshiron të marr përgjegjësi që të varrosen trupat e dy emigrantëve të cilët 3 muaj janë në Butell. Institucionet e hedhin përgjegjësinë tek njëra-tjetra, kurse trupat nuk do të zgjasin shumë, do të shpërbëhen, thonë nga organizata joqeveritare “Legis”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Në AD Butell nuk na japin trupat që t’i varrosim. Nga atje kërkojnë dokument nga Prokuroria Publike që të na japin leje për varrim. Por, nga Prokuroria Publike thonë se dokument të tillë deri tash nuk kanë nxjerr dhe topin e hedhin te MPB-ja. Nga MPB-ja thonë se nuk janë kompetent të lëshojnë dokument të tillë dhe tashmë ata e kanë kryer punën e tyre”, deklaroi Mersiha Smailloviq nga organizata joqeveritare “Legis”.

Ajo thotë se janë paraqitur edhe te Bashkia e Shkupit sepse ata, dhe jo MPPS-ja janë kompetent për emigrantë, por edhe nga atje nuk ka përgjigje.

Dy emigrantët humbën jetën më 25 qershor në një aksident komunikacioni në rrugën magjistrale Radovish-Shtip, kur automjet goditi urën ku 17 emigrantë ishin të lënduar, ndërsa vozitës iku nga vendi i ngjarjes. Këto emigrantë ishin në transit nëpër Maqedoni për të arritur në Evropë/Telegrafi/