Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë Nikolla Dimitrov sot në Shkup realizoi takim me ministrin federal për BE-në, Art, Kulturë dhe Media të Republikës së Austrisë, Gernot Blumel, në suaza të vizitës së tij në Republikën e Maqedonisë në cilësinë e vendit kryesues me Këshillin e BE-së.

Në takim, ministri Dimitrov e informoi ministrin Blumel për vijimin e reformave në vend, pritjet në drejtim të integrimit në BE dhe gjendjen aktuale të politikës së brendshme, me theks në zbatimin e referendumit të ardhshëm lidhur me Marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë, kumtoi MPJ.

Dimitrov shprehi falënderim për interesin e posaçëm të presidencës austriake për afrimin e vendeve të Evropës Juglindore drejtë BE-së në suaza të procesit të zgjerimit, që konsiderohet investim strategjik në paqen, demokracinë, presporitetin, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

“Jemi falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në BE – procesin integrues të Maqedonisë, si dhe për angazhimin e tërësishëm të Qeverisë të këtij vendi në valorizimin e rezultateve tona të arritura dhe në promovimin e aspiratave tona evropiane dhe euroatlantike në periudhën e fundit”, tha Dimitrov në takimin e Blumel.