Nga, Lulzime Odai – Qoku
Mr.i politikës së Unionit Evropian
Referendumi në Maqedoni është një ngjarje madhore historike,që nënkupton se shqiptarët duhet të jenë pjesë aktive e procesit. Referendumi vendos një gur themel në përmirësimin e klimës së përgjithshme në Ballkan , Pas referendumit (nëse është i suksesshëm), në Maqedoni do të ketë ndryshime në Kushtetutë ku do të rihapen çështjet të cilat kanë mbetur për gjysmë, duke filluar me gjuhën shqipe, e cila detyrimisht duhet të zyrtarizohet dhe jo sikurse është shënuar në Kushtetutë, gjuhë që e flasin së paku 20% e popullsisë së Maqedonisë që është kusht për të qenë komb shtet formues.
Referendumi i 30 shtatorit të vitit 2018 do te tregojë qartë përcaktimin e popullatës së këtij shteti të brishtë. Tashmë botërisht dihet se popullata shqiptare është e përcaktuar pro NATO-s dhe pro Bashkimit Еvropian. Shqiptarët edhe kësaj radhe do të dëshmohen (ndoshta do të mashtrohen) si shumë herë deri më tash, por do të dihet linja që do ti ndajë përkatësitë kombëtare dhe orientimet e tyre. Në këtë fazë të gjitha subjektet politike shqiptare i bëjnë apel popullatës për mbështetje të referendumit. Shqiptarët edhe në mungesë të apeleve do të veprojnë drejtë, do ta bëjnë hapin e duhur e të rëndësishëm historik, megjithatë mbeten me shpresë se pas këtij aktiviteti, me ndryshimet e paralajmëruara në Kushtetutë, kjo popullatë e përvuajtur më në fund do të trajtohet si e barabartë me të tjerët. Në qoftë se edhe kësaj radhe mashtrohen shqiptarët, atëherë definitivisht do del në shesh hipokrizia e politikanëve, të cilët nuk janë në gjendje ta udhëheqin këtë popullatë.
Nga ana tjetër, nëse eventualisht nuk arrihet censusi dhe dështon referendumi, fajtori duhet të tregohet me gisht. Shqiptarët si properëndimor, do të duhet të gjejnë alternativën e tyre për të ecur përpara. Për derisa dikush insiston që të mbetet nën kthetrat e vlerave prapanike lindore, popullata shqiptare nuk do të ndalet së përpjekuri për t’u përfshirë tek vlerat perëndimore, demokratike, njerëzore, me perspektivë të qartë për gjeneratat që vijnë pas.
Referendumi në Maqedoni paraqet zgjedhje mes së ardhmes në Bashkimin Evropian apo izolimit, paraqet zgjedhjen e drejtë të së ardhmes në BE-, integrimit me përfitime konkrete për qytetarët, si sundimi i ligjit, tërheqja e investimeve të huaja, hapja e shumë vendeve të reja të punës, rritje e mirëqenies dhe standardit jetësor, apo rrugës drejt izolimit. Pikërisht tani është koha e shfrytëzimit të mundësisë për përmirësimin e shumë çështjeve të rëndësishme në Maqedoni .
Tani është koha e kalkulimeve nëpër kuluare të ndryshme. Mbetet të presim 30 shtatorin, për të parë orientimet e popullatës. Paqartësitë sa vijnë e shtohen, megjithatë mbetemi me shpresë se Maqedonia do ta bëjë hapin historik, duke u afruar me vlerat euro-atlantike, sepse ndryshe nuk bënë.