Ministria e Drejtësisë as nuk ka kompetencë, as nuk mund të përzihet në përzgjedhjen dhe shkarkimin e gjykatësve, tha ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me katër gjykatësit e theksuar në Raportin e posaçëm të PSP-së.

“Kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë është që të krijojë kriter për zgjedhje dhe shkarkim të gjykatësve. Ne presim, siç presin edhe të gjithë qytetarët që Këshilli gjyqësor ta kryejë profesionalisht punën dhe se do t’i marrë parasysh të gjitha thëniet, të gjitha faktet dhe dëshmitë që i japin institucione relevante në Republikën e Maqedonisë”, tha Deskoska para debatit të sotëm për Propozim-ligjin për parandalim të korrupsionit dhe përplasjes së interesave.

Ajo theksoi se momentalisht punohet në pakon e fundit të ndryshimeve të Ligjit për gjykata dhe Ligjit për këshill gjyqësor që do të dërgohet deri te Komisioni i Venecies, pastaj sërish në Parlament, ndërsa do të shqyrtohet në Këshillin për reforma në jurisprudencë.

Prokuroria speciale publike në Raportin e fundit publikuan se ish-kryetarja, ndërsa tani anëtare e Këshillit gjyqësor, Aleksandra Zafirovska, kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, gjykatësja në Gjykatën Supreme Administrative, Svetllana Kostova dhe gjykatësja e Gjykatës Penale Shkup, Sofija Laliliq kanë vepruar në mënyrë jopërkatëse pas porosive të drejtpërdrejta politike, që është vërtetuar në bazë të bisedave të përgjuara dhe sms-komunikimeve që i posedon Prokuroria.