Lajmet se pronari rus i Chelseat, Roman Abramovich, dëshiron ta shesë klubin londinez janë plotësisht të pasakta, raporton Sky Sport News.

Fillimisht, Bloombergu kishte raportuar këtë lajm, duke thënë se Abramovichi i kishte kontaktuar disa banka amerikane për t’i thënë se kërkon oferta për shitjen e klubit, përcjell Gazeta Express.

Rusi nuk ka marrë pjesë në ndeshjet e fundit të Chelseat në Stamford Bridge, pasi që ka pasur probleme me autoritetet angleze për shkak të një problemi me viza që kishe ndodhur në maj.

Megjithatë, burime brenda klubit i kanë thënë Sky Sports News se 51-vjeçari është po aq i përkushtuar për ta kaltrit sa ka qenë gjithmonë dhe nuk synon ta shesë klubin për asnjë shumë që mund t’i ofrohet.

Vendimi që kishte marrë Abramovichi për të mos e rinovuar Stamford Bridget i kishte lënë tifozët e klubit të frikësuar, pasi që mendonin se klubi do të shitej. Oligarku e kishte blerë klubin londinez në vitin 2003 për vetëm 157 milionë euro.