Asnjë nënshkrim thonë se nuk e kanë vënë në asnjë dokument të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve të UÇK-së, por pavarësisht kësaj, Xhavit Jashari e Fadil Shurdhaj janë dy nga 12 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale në aktakuzën e njohur si “Veteranët e rremë”.

Vetëm njëherë thonë se u intervistuan nga Blakaj dhe që të dy duan që në gjykatë të ballafaqohen më njeriun që, sipas tyre, i ka akuzuar padrejtësisht.

Jashari e Shurdhaj janë të bindur se Komisioni u shkarkua pa i përmbyllur Listat e Veteranëve dhe kjo, sipas tyre, erdhi me faktin se Komisioni donte të merrte vendim për mospranimin e listave të Ministrisë së Mbrojtjes, që ishte në ekzil.

Futjen në listë të veteranëve të UÇPMB-së, ata e arsyetojnë me faktin se të gjithë kanë qenë paralelisht ushtarë të UÇK-së.

Kur Komisioni e pat përfunduar punën e tij në majin e 2016-ës, pati deklaruar se i kanë shqyrtuar 65 mijë aplikacione, derisa Prokuroria Speciale aktakuzën e ngritur thotë ta ketë bazuar në shqyrtimin e 80 mijë aplikacioneve,   raporton KTV.

Jashari e edhe Shurdhaj thonë se nuk e dinin numrin e saktë të veteranëve të luftës, kur u përfundoi mandati, pasi sipas tyre, nuk kishin arritur t’i finalizonin listat. Aktakuza për veteranët u përpilua nga prokurori Elez Blakaj, i cili u largua nga Kosova pasi deklaroi se pati presione nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Për keqpërdorim detyre akuzohen të gjithë 12 ish-anëtarët e Komisionit për Verifikimin e Veteranëve të Luftës, përfshirë Agim Çekun, Rrustem Berishën, Nuredin Lushtakun e Shkumbin Demalijajn. Sipas kësaj aktakuze, me pagesën e veteranëve të rremë të UÇK-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumën prej rreth 68 milionë eurosh.