Ka një javë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po e paralajmëron një takim me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Të hënën ai udhëtoi drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ku supozohej se do të takohej me të parin e SHBA-së në pritjen tradicionale të presidentit të SHBA-së para fillimit të debatit të përgjithshëm të OKB-së.

Dje në mbrëmje, mediat raportuan se Thaçi me Trumpin do të takoheshin rreth orës 02:00 të mëngjes, sipas kohës lokale në Kosovë. Kanë kaluar pothuajse 13 orë dhe ende nga Presidenca nuk ka ndonjë njoftimi se takimi është zhvilluar.

Thaçi nga Nju Jorku, mbrëmë paralajmëroi se do të takohej me Trump dhe do të flasë për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, që në pako përfshin edhe korrigjimin e kufijve.

Ndërkohë që nuk dihet të ketë ndodhur takimi, dhe nëse ka ndodhur çfarë është biseduar ndërmjet tyre, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka njoftuar se ka pasur rastin ta takoj Trumpin në margjinat e mbledhjes së Asamblesë së OKB-së.

Bërnabiq, ka njoftuar se Trumpin e ka falënderuar, siç është shprehur ajo, “për një qasje të re ndaj Serbisë”.

Ndërkaq, Thaçi ka publikuar njoftime nga takime me liderë të ndryshëm botërorë, por jo me presidentin amerikan. /Periskopi/