Shërbimi Doganor i Bullgarisë ka njoftuar se zyrtarët e saj kanë sekuestruar 712 kilogramë heroinë, e cila ndodhej në dy kamionë iranianë që erdhën në Bullgari nga Turqia, raporton AA.

Doganierët vlerën e heroinës e përcaktuan në rreth 23 milionë euro. Droga u gjet në dy kamionë me targa iraniane në kalimin kufitar Kapitan Andreevo. Kamionët transportonin material ndërtimor dhe si destinacion kishin Austrinë.

Prokurori në rajonin bullgar Haskovo, Ivan Stojanov tha se heroina u gjet në çanta të mbyllura të fshehura mes mallrave të deklaruara zyrtarisht që transportoheshin.

Dy shoferët, shtetas iranianë, janë arrestuar dhe përballen me 20 vjet burg nëse dënohen për trafik droge.