Zyra Evropiane për Luftë kundër Mashtrimeve (OLAF) filloi hetim në Greqi për keqpërdorim eventual të mjeteve nga fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për refugjatët.

Mediat greke lajmërojnë se hetimi për parregullsitë e supozuara ka të bëjë me dorëzimin e  ushqimit për refugjatët në Greqi dhe kishte filluar pas informacionit të cilin OLAF në vitin 2017 ia kishte zbuluar një pjesëtar i Drejtorisë së Përgjithshme për Emigrim dhe Punë të Brendshme të Komisionit Evropian.

Përfaqësues të shërbimit evropian sqaruan se keqpërdorimi i supozuar për momentin po hetohet, që nuk nënkupton se ka persona të përfshirë të cilët kishin bërë mashtrime.

Siç njofton korrespondentja e  MIA-s nga Brukseli, burime të OLAF-it për momentin nuk bënë të ditura informacione shtesë për hetimin, por konfirmuan se rasti po shqyrtohet.

Paralajmërimet për fillimin e hetimit pasojnë pasi gazeta greke “Filelefteros” javën e kaluar publikoi  akuza për keqpërdorim të mjeteve nga fondet evropiane për emigrim në Greqi.

Грција мигранти Солун

Megjithatë burimet e OLAF-it pohojnë se hetimi nuk është hapur në bazë të artikullit gazetaresk, por se bazohet në informacione të marra nga Komisioni Evropian.

Vitin e kaluar organizata joqeveritare “Solidaritet tani” kërkoi nga Parlamenti Evropian që të fillojë hetim për keqpërdorim të mundshëm me mjete të dedikuara për ndihmë të refugjatëve në Greqi. Organizata vazhdimisht i thekson kushtet e këqija të jetesës të refugjatëve në Greqi dhe faktin se vendi kishte marrë shumë mjete nga Brukseli për përmirësimin e gjendjes së refugjatëve.

Në lidhje me publikimin e akuzave për keqpërdorime me mjete evropiane, tre gazetarë të “Filelefteros” ishin arrestuar të shtunën të akuzuar për shpifje pas kërkesës së ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kamenos, i cili, sipas pohimeve të gazetës, në mënyrë indirekte është përfshirë në keqpërdorimin e fondeve.

Shumë institucione, parti dhe organizata në BE reaguan për arrestimin e tre gazetarëve grekë dhe përkujtuan se liria e mediave është shtylla themelore e vlerave evropiane.