Republika e Maqedonisë përjeton moment kyç në historinë e saj, ndërsa nga vendimet që do të merren në disa javët e ardhshme do të varet e ardhshmja e shtetit, porositi sot ambasadori i sapoemëruar i Federatës Ruse, Sergej Bezdnikin në dorëzimin e letrave kredenciale presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

“Me rëndësi të madhe është që ata të sillen rreptë në korniza të Kushtetutës, e jo ta shembin shtetin juridik. Të paraqesin pasqyrë të padyshimtë të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, e jo të imponohen nga jashtë. Ta bashkojnë, e jo ta përçojnë shoqërinë. Të mbështeten në parimet fundamentale të së drejtës ndërkombëtare të projektuara në kartën e OKB-së, e jo në konjukturën politike”, theksoi ambasadori Bazdnikin.

Siç kumtuan nga kabineti i presidentit, në dorëzimin e letrave kredenciale nga ana e Bazdnikin, presidenti Ivanov theksoi se marrëdhëniet Maqedoni-Rusi, që kanë traditë të gjatë dhe të pasur, të miqësisë së sinqertë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, edhe më tej me sukses do të zhvillohen dhe intensifikohen në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë.

“Interes nacional i Republikës së Maqedonisë janë integrimet euroatlantike, por njëkohësisht i japim rëndësi të madh thellimit të përgjithshëm të raporteve me Federatën Ruse, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik. Nga këtu presim intensifikim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit, sidomos në pjesën e energjetikës, ndërtimtarisë dhe turizmit, si dhe aktiviteteve investuese”, tha presidenti Ivanov.

Ambasadori rus Bazdnikin nënvizoi se lidhjet shumëshekullore historike dhe shpirtërore, të cilat i ndërlidhin ngushtë popujt e dy vendeve, janë bërë bazë e fuqishme për ndërtimin e bashkëpunimit Maqedoni-Rusi, sidomos në sferën e lidhjeve tregtaro-ekonomike dhe investuese, si dhe në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit.

“Jam i bindur se thellimi i gjithanshëm i partneritetit mes Rusisë dhe Maqedonisë u përgjigjet plotësisht interesave të popujve të dy vendeve, ndërsa edhe gjithë Evropës. Federata Ruse angazhohet për avancim të bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë mbi parimet e barazisë dhe dobisë së ndërsjellë”, tha ambasadori Bazdnikin.

Presidenti sot i pranoi edhe letrat kredenciale nga ana e Ruth Karis Stjuart, ambasadore e sapoemëruar e Australisë në Republikën e Maqedonisë, me seli në Beograd, me ç’rast theksoi se marrëdhëniet dydekadëshe diplomatike dhe miqësia me Australinë janë me rëndësi të madhe për ne dhe e potencoi interesin për dinamizimin e dialogut politik, për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik dhe avancimit të shkëmbimit tregtar.

“Sinqerisht më gëzon që Australia ka raport pozitiv maksimal  ndaj bashkësisë së Maqedonisë, e cila është garanci e fuqishme për marrëdhëniet tona miqësore.  Si president i Republikës së Maqedonisë, jam krenar që në Australi pranohet kontributi kulturor dhe etnik i Maqedonisë. Duke e bashkuar më të mirën nga të dy kulturat, bashkësia e Maqedonisë është ura që i lidh të dy shtetet dhe shoqëritë”, tha presidenti Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë ka shprehur edhe falënderim për përkrahjen e vazhdueshme, pa rezerva dhe bujare që Australia ia jep Republikës së Maqedonisë në procesin e integrimit tonë euroatlantik, përmes përcaktimit qartë të shprehur, për anëtarësimin më të shpejtë të vendit tonë në NATO.

Ambasadorja australiane Stjuart ka potencuar se të dy vendet kanë lidhje të ngrohta dhe miqësore, duke shtuar se më shumë se një shekull pas lagjes së parë të Maqedonisë në Australi, bashkësia me rreth 100.000 australianë  me prejardhje nga Maqedonia përparon dhe është prosperuese.

“Bashkësia e Maqedonisë dhe Australisë siguron bazë të fuqishme për marrëdhëniet tona miqësore.  Lidhjet tona të fuqishme ndërnjerëzore janë përparësi. Shpresoj se gjatë  detyrës sime si ambasadore, ne do të jemi në mundësi t’i shfrytëzojmë këto lidhje kulturore, ta rrisim  këmbimin investues dhe tregtar, si dhe bashkëpunimin akademik dhe kulturor. Kjo është diçka për çka ne mund do të punojmë që të arrihet”, tha ambasadorja Stjuart.

Ambasadorja australiane nënvizoi se vendi i saj i përshëndet hapat që ndërmerren për zgjidhjen e kontestit afatgjatë të emrit me Greqinë.

“Ne pranojmë se ka qëndrime  të ndryshme për këtë çështje – kjo është normale në çdo demokraci”, tha ambasadorja Stjuart  në fjalimin e saj.

Presidenti  Ivanov ambasadorët e sapoemëruar i uroi për funksionin dhe u dëshiroi sukses në kryerjen e detyrës përgjegjëse diplomatike.