Agjencia për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) i kujton transmetuesit se rezultate nga hulumtimet e mendimit publik në lidhje me referendumin mund të publikohen më së voni pesë ditë para datës së caktuar për votim. Prej atje, rezultatet e anketave të mendimit publik mund të publikohen deri më 24 shtator 2018.

Siç kumtoi ASHMAA, heshtja e referendumit fillon 48 orë para ditës së votimit, gjegjësisht më 28 shtator 2018 dhe përfundon me mbylljen e vendvotimeve në orën 19 më 30 shtator 2018. Gjatë heshtjes duhet të ndërpriten të gjitha format e propagandës publike lidhur me referendumin.

ASHMAA ju bën thirrje transmetuesve që për më shumë detaje të konsultojnë Udhëzimin për prezantim mediatik gjatë kohës së referendumit, të cilin mund ta gjejnë në ueb faqen e Agjencisë në banderolën REFERENDUMI 2018.

Agjencia shton se javën tjetër do të publikohen raportet për lëshimet e konstatuara dhe raporti i parë për mbulim mediatik të referendumit.