Marco Asensio ka thënë se atij nuk i ishte ofruar asnjëherë fanella me numrin 7 në Real Madridi, pasi Cristiano Ronaldo e la atë të lirë pas largimit në verë.

22-vjeçari është në mesin e atyre që janë ngarkuar me detyrën për ta përmbushur boshllëkun e krijuar nga largimi i pesë herë fituesit të Topit të Artë nga “Santiago Bernabeu”, transmeton Gazeta Express.

Ai ka bërë një fillim mbresëlënës për ta kryer këtë detyrë, duke e shënuar golin e parë të sezonit që i ndihmoi Realit ta mposhtë minimalisht Espanyolin të shtunën.

Asensio e shënoi atë gol duke bartur fanellën me numrin 20 në shpinë, me opsionin për ta marrë fanellën me numrin ikonë që nuk i ishte ofruar kurrë.

“Nuk ma ofruan numrin 7”, tha Asensio.

“Klubi nuk më ka thënë asgjë asnjëherë për të dhe si pasojë nuk e kam pasur mundësinë të vendosë”, shtoi ai.

Tani, numrin e Ronaldos në Real Madridi e bartë Mariano Diaz, pas rikthimit në kryeqytetin spanjoll nga Lyoni.