Policia ka arrestuar të mërkurën deputetin e Kosovës,  Milaim Zeka. Ai është arrestuar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ky arrestim ka ndodhur pasi ndaj tij Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër për arrestim, për shkak të dyshimeve se ai e ka kërcënuar prokurorin special, Afrim Shefkiu.

Arrestimin e tij, e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Hekrem Lutfiu , i cili ka thënë se pas intervistimit Zekës i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Ish-gazetari Zeka, dy ditë më parë në një emision televiziv kishte deklaruar se prokurorin Shefkiu do ta ndjek me gjyq, me kanun, por edhe privatisht.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë deputeti Zeka.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

Me anë të një komunikate për media, KPK ka dënuar ashpër deklarimet e deputetit Zeka.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon sot deklarimin kërcënues të deputetit Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Afrim Shefkiu” thuhet në komunikatën e KPK-së./KosovaPress/