Aktorja dhe aktivistja Irena Ristiq është arrestuar dhe mbajtur në stacionin policor Beko, pasi siç tha, ka pastruar mbeturina para objektit të Qeverisë së Maqedonisë.

Ristiq thotë se sjellja e policëve ka qenë arrogante, ndërsa tri orë pas arrestimit nuk i kanë lejuar të thërrasë avokat, njofton Makfaks, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Maqedonia është në lëkurë të zhveshur. Stacioni i policisë ‘Beko’. Spitali psikiatrik ‘Bardovci’. Dhe unë. Ata u zemëruan që po mblidhja mbeturina përpara qeverisë. Mezi i binda policët se kam të drejtën për një avokat”, shkruan në rrjetet sociale Ristiq.

Ajo shton se nga stacioni policor kanë tentuar ta vendosin në spitalin psikiatrik “Bardovci”, ndërsa pasi e kanë çuar atje e kanë kthyer në stacionin policorë.

Irena Ristiq para dy muajve filloi iniciativën qytetare “Mos u bën mbeturinë”, në të cilën anëtarë janë disa persona publik dhe vullnetarë tjerë. Ata organizojnë aksione për pastrimin e lokacioneve të ndryshme ku ka mbeturina.