Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë për të ngritur një bazë të përhershme ushtarake në Poloni.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti polak Andrzej Duda tha se vendi i tij jo vetëm që do të mbështesë financiarisht ndërtimin e bazës, por do t’ia vërë emrin “Fortesa Trump”.

Në takimin që zhvilluan dje në Shtëpinë e Bardhë, presidentët Trump dhe Duda ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve:

“I jemi mirënjohës rolit udhëheqës që ka treguar Polonia për mbajtjen e peshës së shpenzimeve ushtarake në NATO. Dua të përgëzoj Poloninë që përmbush detyrimet e saj për kontributet në NATO. Po ashtu më gëzon fakti që ka në plan të rrisë shpenzimet mbi detyrimin prej 2% të produktit bruto të vendit,” tha Presidenti Trump.

Presidenti Andrzej Duda në komentet e tij e ftoi udhëheqësin amerikan të dërgojë edhe më shumë trupa në Poloni, duke e nxitur të ngrejë një bazë të përhershme ushtarake si masë parandaluese ndaj asaj që Varshava e sheh si kërcënim nga ekspansioni rus.

Zoti Duda ofroi mbi 2 miliardë dollarë kundrejt kostos për ngritjen e bazës.

“I thashë Presidentit Trump se do të doja që Amerika të ngrinte baza të përhershme në Poloni, bazës do t’ia vinim emrin “Fortesa Trump”. Besoj seriozisht se kjo është e realizueshme. Jam i bindur,” tha udhëheqësi polak.

Javën e kaluar Rusia zhvilloi manovrat më të mëdha ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, duke ftuar për herë të parë Kinën si pjesëmarrëse. I gjithë ky demonstrim force shpalosej ndërkohë që Uashingtoni dhe Pekini janë mbërthyer në një luftë tarifash. /VoA