Historiani nga Shqipëria Pëllumb Xhufi në një intervistë për Alsat M thotë se shqiptarët e Maqedonisë duhet të mbështesin referendumin për shkak të perspektivës euro-atlantike por më vonë të shfrytëzojnë mundësitë për avancim të pozitës së tyre në vend. Ai shton se Kushtetuta e Maqedonisë duhet të pranojë edhe shqiptarët si popull shtetformues. Xhufi e vlerëson të arsyeshme masën e reagimeve të Tiranës zyrtare në gjithë këtë proces, duke thënë se reagimet e shtuara mund të konsiderohen si ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.

Z. Pëllumb Xhufi, cili sipas jush është roli i shqiptarëve në çështjen e referendumit, po ashtu në Marrëveshjen që ka arritur Maqedonia me Greqinë sa u takon qytetarëve shqiptarë në Maqedoni por edhe faktorit politik?

Unë mendoj se roli i shqiptarëve për vetë edhe numrin e lartë që ka populli shqiptarë në Maqedoni është i rëndësishëm dhe është vendimtar në çështjen e referendumit. Unë do të uroja shumë që shqiptarët të shkonin të gjithë dhe të votonin “për” referendumin, mos ta shohin si një çështje që s’ka të bëjë me problemin e shqiptarëve në Maqedoni, si një çështje që u përket të tjerëve, grekëve dhe sllavo-maqedonasve, por ta shohin si një çështje që i prek drejtpërsëdrejti ata. Pse e them këtë? Sepse dashur, pa dashur, integrimi i Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, është lidhur dhe kushtëzuar pikërisht me pranimin e emrit i cili u konkordua më në fund mes qeverisë së Greqisë dhe qeverisë së Maqedonisë. Shqiptarët janë të interesuar që Maqedonia të ofrohet sa më shpejt dhe të integrohet në strukturat euro-atlantike sepse në radhë të parë zgjerohen hapësirat demokratike të cilat ata mund t’i shfrytëzojnë nesër pikërisht për t’i realizuar ato të drejta të cilat, edhe pse në letër mund të jenë, nuk janë realizuar ende- tha Xhufi. 

Në marrëveshjen e Prespës ekziston një dispozitë ku parashihet që në dokumentat zyrtare të udhëtimit në të ardhmen të gjithë qytetarët e Maqedonisë të etiketohen ose të karakterizohen si maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kjo sa u takon edhe shqiptarëve. Si e komentoni ju këtë gjë?

 Këtu gjithkush ka të drejtë të dyshojë që është luajtur një lloj loje por problemi është që në shtetet moderne, në Evropë, këto identifikimet sipas kombësisë dhe sipas fesë nuk janë parë me sy të mirë. Edhe këtu ka një qëndrim të përgjithshëm do të thosha që përputhet me standardet evropiane ku qytetarët e një shteti janë të gjithë të barabartë pavarësisht nga kombësia dhe nga bindjet fetare. Këtu është problemi që maqedonasit duhet të ndërtojnë edhe kushtetutën sepse duhet ta shpallin që Maqedonia është shtet i të gjithë qytetarëve që banojnë në Maqedoni. Më duket se nuk ekziston kjo siç e kemi ne për shembull në Kushtetutën tonë,ne nuk themi që Shqipëria është vend i shqiptarëve por se Shqipëria është vendi i të gjithë qytetarëve të saj që jetojnë në Shqipëri. Kjo më duket për momentin e nxituar. Mund t’i lihej kohëve të tjera kur Maqedonia të rregullonte edhe ca probleme që nuk i ka rregulluar në marrëdhëniet ndëretnike siç janë ato me shqiptarët por këtu është edhe roli do të thosha edhe i plitikanëve shqiptarë sidomos ata që janë edhe të impenjuar në punën e tyre shtetërore. 5:45 Nuk e di se ky debat nuk ka dalë më përpara prandaj nuk e di se si kanë reaguar ata por gjendja është e tillë që të le të dyshosh se ka qenë një këmbëngulje dhe një tentativë për të përfituar diçka, kuptohet në drejtim të sfumimit të rëndësisë që kanë shqiptarët në jetën, jo vetëm politike, por edhe në përbërjen demografike dhe në jetën ekonomike të atij vendi- pohoi Xhufi.

  • Tirana zyrtare është treguar pothuajse e pazëshme në të gjithë këtë proces të përgatitjes së referendumit por edhe ndryshimeve kushtetuese që pritet të ndodhin në Maqedoni sa i takon pikërisht identitetit shqiptarë në gjithë këtë proces. Si e komentoni ju këtë pasivitet?
  • Mua më pëlqen që Tirana zyrtare nuk e tepron me ndërhyrje të saj në një problem që është problem edhe delikat. Unë jam plotësisht dakord që Tirana zyrtare në masën e duhur t’i japë mesazhet e saj, do të prisja shumë më tepër që shoqëria civile, bota akademike e cila ka qenë fare apatike në këtë histori dhe ata do të duhej më tepër që të ishin aktiv sepse kanë edhe mundësi veprimi. Duhet patur parasysh që nëse do të dalë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, kryeministri… ka ndodhur edhe herë të tjera kjo por ka krijuar probleme, siç e dini, nëse dalin hapur, nga një pjesë e opinionit sllav në Maqedoni mund të shihej si një ndërhyrje dhe mund të kishte edhe reagim negativ edhe në drejtim të votës. Nuk do të ishte edhe utilitare do të thosha një ndërhyrje e tillë. Kështu që jam i mendimit se në çështje të këtilla të punohet, të jepen mesazhe, esazhet mund të jenë të hapura, diplomacia ka edhe rrugë të tjera si e jep mesazhin, megjithatë unë di që ministri jonë i Jashtëm ka qenë në Maqedoni, e ka dhënë mendimin, qëndrimin, por edhe një mesazh për qytetarët e Maqedonisë dhe më duket se kjo është e mjaftueshme-përfundoi Xhufi. 

Fatlume Dervishi

Loading...