I.K nga fshati Tërpezë i Malishevës është vetëvarur të hënën në mëngjes në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës kanë deklaruar se i ndjeri ishte në burg për veprën vrasje e rëndë në tentativë. Ndërsa, shtojnë se deri në përfundimin e hetimeve kanë marrë vendim që të suspendohen dy zyrtarë korrektues dhe dy infermierë, shkruan Express.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë sot në orët e hershme të mëngjesit është vetëvarur i paraburgosuri me inicialet I.K. nga fshati Tërpezë i Komunës së Malishevës.

I ndjeri ishte në burg për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

“I paraburgosuri I.K, ishte arrestuar me datë 10.04.2018 dhe ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ndërsa në Qendrën Korrektuese në Dubravë, është transferuar me datë 03.07.2018. Vepra me të cilën ngarkohej ishte vrasje e rëndë në tentativë dhe kishte vazhdim të paraburgimit deri me 08.09.2018”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Ndërsa, deklarojnë se nga data 30.07.2018 deri me datë 20.08.2018 ka qenë i hospitalizuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në QKUK, në Prishtinë.

Gjersa thonë se për shkak të vetëlëndimeve dhe tentim-vetëvarjes është trajtuar në vazhdimësi nga mjekët e burgut, psikiatri dhe psikologu.

Nga SHKK-ja thonë se për rastin janë njoftuar autoritetet kompetente, Prokuroria, Gjykata, Policia e Kosovës si dhe familja e të ndjerit.

Deri në përfundimin e hetimeve ky institucion ka marrë vendim që të suspendohen dy zyrtarë korrektues dhe dy infermierë.

“Ndërsa Menaxhmenti i lartë i Shërbimit Korrektues dhe Udhëheqësi i Shërbimit Shëndetësor për Burgje nga Ministria e Shëndetësisë, duke kërkuar një hetim profesional dhe të pavarur mbi përgjegjësinë e mbikëqyrjes së zyrtarëve përgjegjës, ka marrë vendim që të suspendohen dy zyrtarë korrektues dhe dy infermierë deri në përfundimin e hetimit të rastit”, përfundon njoftimi i SHKK-së.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

“Policia është njoftuar se sot rreth orës 4 e 25 minuta, një person me inicialet I.K, nga komuna e Malishevës është vetëvarur. Është njoftu edhe prokurori, si dhe të gjitha njësitë kanë dalë në vendngjarje. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, ka thënë Ibraj.