Në Gjykatën penale për sot është caktuar seancë e re për lëndën “Dhunë në Komunën Qendër”, në të cilën duhet të vazhdojë marrja në pyetje e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale Publike.

Të akuzuarit në këtë rast janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova si edhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për nxitje të dhunës që ndodhi gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të vitit 2013.

Në gjykimin e deritanishëm për këtë lëndë, fajin e ka pranuar i akuzuari i katërt Tomislav Lazarov dhe i akuzuari i pestë Jordan Ristevski dhe morën dënim me kusht. Për të akuzuarin e shtatë Dimçe Kërstev, megjithatë, zhvillohet procedurë e ndarë.