Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot në fillimin e fazës ndërtimore të kanalit për sistemin e ujitjes Raven-Reçicë, tha se ky projekt do të ris produktivitetin bujqësor në Pollog

“Më lejoni që fillimisht të shpreh kënaqësinë time të veçantë, që sot përfundimisht arritëm së bashku të shënojmë fillimin e fazës ndërtimore të njërit prej projekteve më të rëndësishme mbi zhvillimin e agrikulturës dhe bujqësisë në Rajonin e Pollogut.

Ndërtimi i Kanalit për sistemin e ujitjes Raven-Reçicë, është projekt kapital i financuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe menaxhimit të ujërave të Republikës së Maqedonisë, i implementuar përmes programit për zhvillim rural. Vlen të theksohet se përmes këtij sistemi planifikohet ujitja e rreth 3250 hektarëve të tokave bujqësore që kapin zonën e Gostivarit, Vrapçishtit, Bogovinës dhe Tetovës.

Vlera e përgjithshme e këtij sistemi modern të irigacionit kap shumën prej afër 15 milionë euro, dhe sipas dinamikës së planifikuar, punët ndërtimore pritet të zgjasin afër 5 vite. Për ndëertimin e kanalit kryesor janë paraparë tuba çeliku për profile më të mëdha dhe tuba polietileni për profile të vogla në fund të kanalit.

Me përfundimin dhe vënien në funksion të këtij projekti, padyshim që do të rritet dukshëm produktiviteti bujqësor në rajonin e Pollogut, pasiqë lugina e Pollogut si e tillë ka kushte shumë të favorshme për prodhim bujqësor të shumë kulturave agrare, kopshtarisë, prodhimit të drithërave, si dhe kulturave foragjere për ushqim të bagëtive.

Përmes këtij projekti, që do të kap tokat bujqësore të Pollogut të Epërm, ndërtojmë një perspektivë të shëndoshë dhe afatgjate që ka të bëjë me zhvillimin, nxitjen dhe promovimin e bujqësisë si një nga aktivitetet më të rëndësishme ekonomike të vendit tonë.

Ndërtimi i sistemit të ujitjes së tokave bujqësore në këtë rajon, nënkupton bujqësi rentabile, dhe kushte shumë më të mira për bujqit. Ky sistem padyshim që do të ndikojë në reduktimin e kostos së prodhimit të kulturave bujqësore, duke i bërë ato shumë më të konkurueshme në tregun vendas dhe atë të jashtëm.

Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm ekonomik të Rajonit të Pollogut dhe të gjithë vendit tonë, e cila përbën afër 12 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, andaj është më se e nevojshme që pushteti lokal dhe ai qëndror, të vendosin si prioritet politikat që synojnë mbrojten e tokave bujqësore, rehabilitimin dhe investimin në infrastrukturën bujqësore, si dhe promovimin e produkteve bujqësore, duke nxitur dhe mbështetur kultivimin e kulturave tipike për çdo zonë.

Përmes implementimit të projekteve të këtilla, bëjmë ndryshimin dhe avancimin pozitiv të skenës bujqësore në vendin tonë, krijojmë mundësi për zhvillim, ndikojmë në formalizimin e bujkut, dhe vendosim në margjina të sigurta zhvillimin e bujqësise duke e promovuar atë në një aktivitet profitabil dhe atraktiv ekonomik.

Për ta përmbyllur, dua edhe njëherë të falenderoj të gjithë për punën dhe angazhimin e deritanishëm, dhe uroj që ky projekt shumë shpejt të identifikohet si një storie suksesi me potencial zhvillimor për të gjithë rajonin e Pollogut, duke ndikuar pozitivisht edhe në mirëqenien ekonomike të banorëve të kësaj ane” u shpreh Arifi