E shndërruar në reperen më të dashur të publikut shqiptar brenda një periudhe të shkurtër kohore, Tayna sa vjen dhe surprizon fansat e saj.

Ndërkohë që bashkëpunimi i saj me Don Phenom, “Columbiana”, ka korrur një super sukses duke mbajtur për 7 javë rresht vendin e parë, projekti i dytë i saj “Shqipe” është votuar pafund nga dashamirësit e këngëtares, duke e mbajtur në pozicionet më të rëndësishme të listës, në vendin e dytë dhe në vendin e tretë.

Pavarësisht se është tepër e ngarkuar me koncerte nëpër klube të ndryshme nate, Tayna ka vendosur të kënaqë sërish fansat me një tjetër prurje të re. “Fake” titullohet projekti më i ri i reperes, i cili ka rrëmbyer menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, që në momentet e para të publikimit.

Teksti është punuar nga vetë artistja ndërsa muzika mban vulën e shtëpisë diskografike “Cricket”, si edhe projektet e mëparshme të Tayna.

Me mix dhe master të Avaxus, kjo këngë është futur që në javën e parë në “The Top List”, duke e bërë artisten me tre këngë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.