Kampioni i futbollit të Maqedonisë, Shkëndija me optimizëm e pret revanshin në plejofin për Lugën e Evropës kundër Rozenborg nga Norvegjia.

Trajneri Qatip Osmani paralajmëroi lojë ofensive njëjtë siç ishte në ndeshjen  e parë në Norvegji ku Rozenborg fitoi me rezultat 3:1.

“Të arritshme janë ato dy gola epërsi që i ka kundërshtari. Kemi cilësi për ta kaluar Rozenborg dhe të klasifikohemi në Ligën e Evropës. Jemi të gatshëm për çdo rezultat, madje edhe për vazhdime. Do të luajmë në mënyrë ofensive, siç tregoi Shkëndija se mund të luajë në ndeshjet e deritanishme që nga fillimi i sezonit. Edhe ata kanë pika të dobëta. Nëse luajmë shpejt dhe nëse në plan të parë e kemi lojën kolektive, rezultati nuk do të mungojë. Këtu e shoh shansin tonë”, deklaroi Osmani në konferencën e sotme për shtyp.

Sulmuesi Besart Ibrahimi premtoi luftë të pamëshirshme të tërë ekipit.

“Tri herë luajmë plejof dhe besoj se tani do të kemi sukses. Të gjithë lojtarët duhet të japim maksimumin që të jemi të pastër para vetes dhe nëse kjo është e mjaftueshme do të shohim pas ndeshjes”, tha Ibrahimi.

Revanshi nga plejofi për LE midis Shkëndijës dhe Rozenborgut do të luhet nesër (e enjte) në SP “Filipi i Dytë” në Shkup me fillim në orën 20:15 minuta.