Rreth 30 subjekte politike, të kryesuara nga dy partitë më të mëdha në pushtet, LSDM dhe BDI, ranë dakord të nxisin qytetarët që të dalin dhe të votojnë “për” në referendumin, i cili do të mbahet më 30 shtator. Fushatë të ndarë “pro” integrimit në NATO dhe BE do të bëjë edhe Aleanca për Shqiptarët dhe BESA e Kasamit, ndërkaq VMRO-DPMNE bën fushatë kundër Marrëveshjes me Greqinë. Deklarimi “pro” i pjesës dërmuese të subjekteve politike dhe rezultatet e anketës së Institutit Amerikan IRI, ku mbi 49% e të anketuarve janë deklaruar “për”, janë premisa për një referendum të suksesshëm.

Analisti politik, Bashkim Selmani, thotë se përçarja në taborin maqedonas, përkatësisht qëndrimi i VMRO-DPMNE-së, është i lidhur ngushtë me nevojat partiake dhe individuale dhe nuk do të mund ta dëmtojë referendumin.

“Kam bindjen se referendumi do të ketë epilog pozitiv për arsye se çdo qytetar është i interesuar për zgjidhjen e këtij problemi njëherë e përgjithmonë dhe të kalohet në vështirësitë/problemet e përditshme që po i kalojnë qytetarët. Sa i përket VMRO-së dhe individëve të caktuar, ata kanë një çoroditje nga brenda për arsye se me mosdaljen mendojnë për t’i mbuluar veprimtaritë kriminale të tyre, gjë që kësaj radhe nuk do ta arrijnë qëllimin e duhur”, theksoi analisti, Bashkim Selmani.

Përndryshe, partitë politike që u mblodhën një ditë më parë ranë dakord se marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë hap dyert e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe konsiderojnë se çdo qytetar i Republikës së Maqedonisë me të drejtë vote duhet të marrë përgjegjësinë, të dalë dhe të votojë “pro” në referendumin e ardhshëm. Gjithsesi, partitë e ruajnë të drejtën që të zhvillojnë komunikime publike në lidhje me referendumin, të cilat mund të jenë individuale dhe të pavarura apo si pjesë e koalicioneve të tjera. /tvm2/