Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney, beson se trajneri i “Djajve të kuq”, Jose Mourinho, ka një plan për të përmirësuar skuadrën e tij dhe t’i drejtojë atë për të fituar titullin e Premierligës këtë sezon.

Skuadra e Mourinhos pësuan disfatë kundër Brightonit javën e kaluar, me rezultat 3-2. Ndërsa, javën e parë të Premierligës ata, me shumë mund, arritën të sigurojnë fitore me epërsie minimale 2-1 kundër Leicester Cityt, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, sulmuesi i DC Unitedit dhe golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester Unitedit, Rooney, i ka dalur në mbrojtje ish-trajnerit të tij, duke thënë se ai e di si të fitoj tituj.

“Ata kanë kualitet në skuadër, vetëm duhet të vazhdojmë të punojnë. Mourinho e di se çfarë po bën dhe ai e di si të fitojë tituj. Jam i sigurt se me kualitetin e lojtarëve që ka në skuadër, ai planifikon ta fitojë titullin e Premierligës”, ka thënë Rooney.

Që nga përfundimi i sezonit të kaluar, klubi anglez është përmbytur nga spekulimet se brenda klubit ka shumë probleme. Këto spekulime i kanë nxitur edhe vetë trajneri dhe disa lojtarë të klubit me deklaratat e tyre të dhëna për media, siç janë deklaratat për mosmarrëveshje mes Mourinhos dhe bordit drejtues të klubit, si dhe deklarata e Pogbas pas interesimit të Barcelonës për të.