Trajneri i Real Madridit, Julen Lopetegui, i ka dhënë miratimin e tij drejtuesve të klubit për transferimin e mbrojtësit anësor të Chelseat, Marcos Alonso, raporton Don Balon.

Mbrojtësi i krahut të majtë mund të transferohet si pasues i Marcelos në skuadrën e klubit madrilen, dhe drejtuesit e Real Madridit janë të gatshëm të paguajnë deri në 60 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e tij

Megjithatë, “Të kaltrit” nuk pranojnë ta shesin spanjollin, pasi që ai është titullar në ekipin e tyre dhe trajneri i ri, Maurizio Sarri, e konsideron si një ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së tij. Alonso u transferua në Chelsea para dy viteve nga Fiorentina për 23 milionë euro.

Gjatë këtij afati kalimtar, që të dy klubet e Madridit, Real Madridi dhe Atletico Madridi, u interesuan për Alonson, pasi kishin nevojë për përforcime në pozitën e tij. Real Madridi e ka huazuar Theo Hernandezin në Real Sociedad, ndërsa Atletico Madridi frikësohen se Filipe Luis mund të largohet për në Paris Saint-Germain.

Alonso e kishte filluar karrierën e tij në Real Madrid, para se të transferohej në Bolton Wanderers në vitin 2010. Gjyshi i tij kishte qenë lojtar i Real Madridit gjatë kohës kur madrilenët i kishin fituar pesë tituj të Ligës së Kampionëve.