Procedura e ndarë kundër ish-ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska, për lëndën “Tank”-u të Prokurorisë Speciale Publike për furnizim të “mercedesit” luksoz në vlerë prej 600 mijë euro, vazhdon nesër me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Prokurori special publik Stefço Donev, në fjalim hyrës në seancën e sotme, theksoi se Jankulloska ka kryer keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit.

“Do të dëshmojmë se Nikolla Gruevski ka kërkuar nga e akuzuara Gordana Jankulloska të bëjë furnizim joligjor të ‘mercedes gard’ me favorizimin e operatorëve Mak Auto Star dhe për përmbushje të asaj që Jankulloska e ka shfrytëzuar pozitën e saj që përmes Gjoko Popovskit të kryejë furnizim të tillë. Nga audio incizimet do të dëshmojmë se edhe pse furnizimi publik është realizuar për nevojat e MPB-së, kjo është realizuar sepse Gruevski ka dëshiruar të vozitet në një automjet të ri të tillë, por opinioni nuk e di”, deklaroi Donev.

Jankulloska, në fjalimin hyrës para Gjykatës, theksoi se edhe pse procedura zhvillohet në kushte të komplikuara, si e ndarë nga lënda për të cilën tanimë ka sjellë tanimë ka sjellë vendim, megjithatë do t’i hedhin poshtë pohimet se me furnizimin janë përmbushur “dëshira personale” të dikujt dhe do të dëshmojnë se furnizimi është në pajtueshmëri të standardeve për punë të Ministrisë.

“Furnizimi është realizuar në bazë të vlerësimit të vëmendshëm nga shërbimet kompetente për problematikën për sigurim të personave dhe në pajtueshmëri të dispozitave të vlefshme. Pa marrë parasysh rrethanat, megjithatë bëhet fjalë për rast ku procedura është realizuar në mënyrë ligjore”, tha Jankulloska.

Në seancën e sotme janë marrë në pyetje edhe dy dëshmitarë, të propozuar nga Prokuroria, njëri i punësuar në Mak Auto Star dhe tjetri në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Avokati i Jankulloskës,Boro Tasevski, para gjykatës prezantoi një problem, se nesër në orën 10 ka seancë për këtë rast, ndërsa ka seancë të caktuar në orën 9:30 për lëndën “Dhunë në Qendër” ku përfaqëson tre të akuzuar, ndërsa në orën 10:30 ka seancë publike në Apelacion për ankesën për vendimin për Gruevskin.

“Konsideroj se me caktimet e këtilla të seancave e shkel të drejtën e mbrojtjes efektive. Kërkojë që të anulohet seanca e nesërme”, theksoi Tasevski.

Gjykatësja Kacarska ndaj kësaj tha se në debatin e nesërm mundet që njëri nga mbrojtësit të mos marrë pjesë, por kërkesa për anulim të debatit nuk pranohet.

“Për seancat e ardhshme ka dëshmitarë të ftuar dhe nuk mund të anulohet”, theksoi Kacarska.

Për këtë rast tanimë është dënuar ish ndihmës-ministri në MPB Gjoko Popovski në gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa ish-kryeministri Nikolla Gruevski si nxitës për kryerje të veprës është dënuar në dy vjet burgim.