Në Gjykatën e Apelit ende nuk është kumtuar vendimi për kërkesën për përjashtimin e këshillit gjyqësor i cili duhet të vendosë për ankesën e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për aktgjykimin në rastin “Tanku” për blerjen e mercedesit luksoz.

Edhe pse ishte paralajmëruar se në orën 13 do të vazhdojë seanca publike në të cilën do të kumtohet vendimi për kërkesën për përjashtimin e këshillit gjyqësor, para pak kohe zëdhënësi i Gjykatës së Apelit Safet Kadriu informoi se janë duke e pritur vendimin e Gjykatës Supreme për kërkesën për përjashtimin edhe të u.d. kryetares së Gjykatës së Apelit, Lidija Dimçevska.

Avokatët e të akuzuarve sot shtruan kërkesë për përjashtimin e Këshillit Gjyqësor dhe të kryetares së Gjykatës së Apelit, Lidija Dimçevska.

Në fillim të seancës së sotme publike ata kërkuan edhe anulim të seancës me arsyetimin se duhet të shkojnë në gjykime të tjera të cilat janë prioritare sepse bëhet fjalë për lëndë për paraburgim. Këshilli gjyqësor në Gjykatën e Apelit nuk e pranoi kërkesën e tillë të avokatëve.

Për rastin “Tanku”, ish-kryeministri Nikolla Gruevski si nxitës për kryerje të veprës është dënuar me dy vjet burg, ndërsa ish-ndihmësministri në MPB, Gjoko Popovski me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg.