Gerard Pique ka thënë se Barcelona do të ishte e lumtur që të ketë Paul Pogban në skuadër pas spekulimeve për të ardhmen e mesfushorit të Manchester Unitedit.

Pogba ka shënuar dy gola nga penalltia në dy ndeshjet e para të Ligës Premier të këtij sezoni, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit në mungesë të Antonio Valencia.

Por, raportet që lidhin Pogban me një lëvizje larg Old Trafford kanë qenë të paepura në sezonin 2018-19.

Edhe pse trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka refuzuar të diskutojë mundësinë e nënshkrimit të 25-vjeçarit, ish-mbrojtësi i Unitedit, Pique ia ka hapur derën.

“Unë di shumë pak se çfarë po ndodh në Manchester, marrëdhëniet që ekzistojnë [mes Pogba dhe Mourinhos]”, ka thënë fillimisht Pique.

“Pogba është një lojtar shumë i mirë, por është një lojtar i Manchester Unitedit tani dhe do të shohim në të ardhmen nëse ndodh ndonjë gjë”.

“Ne do të ishim të lumtur që ta kemi këtu, por Manchester Unitedi është klubi i tij dhe, nëse dikush duhet të thotë diçka, duhet të jenë ata”, përfundoi spanjolli.

Ndryshe, Barcelona ende ka kohë për të përfunduar një marrëveshje shokuese për Pogban, pasi afati kalimtar i transferimeve të La Ligës mbyllet të premten.