Kuvendi i Republikës së Maqedonisë pasditen e sotme me 61 vota “për” dhe katër kundër ka zgjedhur Petar Atanosovin për zëvendësministër të Arsimit dhe Shkencës.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se Atanasov bashkë me ministrin e Arsimit Arbër Ademi do të punojë në zbatimin e reformave në arsimin fillor dhe të mesëm, ligjin e ri për arsim të lartë, ndërsa për momentin miratohen edhe statutet e universiteteve në vend.

“Besoj se do të bëjmë sistem arsimor i cili përfundimisht do të jetë diçka me të cilën të gjithë do të krenohemi. Besoj se me sukses do ta kryejë funksionin si zëvendësministër i Arsimit”, ka thënë Zaev.

Dragan Danev nga VMRO-DPMNE ka thënë se gjatë 15 muajve të kaluar shumë premtime në arsim nuk janë realizuar nga ky pushtet.

“Asnjë denar nuk është rritur pagesa e arsimtarëve, premtuat se do t’i rrisni bursat dhe kreditë e nxënësve dhe se do ta përmirësoni statusin e nxënësit dhe studentit, konvikte të reja për studentët…”, ka thënë Danev.

Ndërkohë, duke i replikuar Danevit, kryeministri Zaev tha se qëllimi është të përmirësojmë sistemin arsimor në shtet.

“Reformat në arsim i filluan përbërja e parë e ministrave Deskovska dhe Ademi ku është sjell ligji për arsim të lartë, statutet veçmë janë adaptuar.

Besoj se ai debat cilësor do të sjell statute cilësore të universiteteve, kemi siguruar mjete financiare që të ekipohen të gjithë universitetet, fakultetet…”, ka thënë Zaev.

Debati për ligjin e arsimit të lartë, ka thënë Zaev, ka zgjatur gjashtë muaj dhe në vijim është debati për arsimin fillor dhe të mesëm dhe se janë formuar grupet e punës.