Sulmuesi i Anglisë, Jamie Vardy, është i gatshëm të pensionohet nga Kombëtarja e Anglisë në moshën 31-vjeçare, pasi që mendon se duhet t’i jepet mundësia lojtarëve më të rinj të tregojnë talentin e tyre për Kombëtaren e Anglisë.

Ylli i Leicesterit i ka bërë 26 paraqitje për Kombëtaren e Anglisë dhe ka qenë i zgjedhur çdo herë në skuadrën e Kombëtares që nga debutimi i tij në maj të vitit 2015, transmeton Gazeta Express.

Vardy ka thënë se një numër i madh i arsyeve e kanë ndikuar vendimin e tij, përfshirë këtu moshën e tij dhe dëshirën për të shpenzuar më shumë kohë me familjen e tij. Megjithatë, ai e ka pranuar se mundësitë e tij për të luajtur për Anglinë do të kishin qenë shumë të vogla edhe nëse nuk do të kishte marrë vendimin për t’u pensionuar. Për këtë vendim, ai ka biseduar më trajnerin e Kombëtares së Anglisë, Gareth Southgate.

“Të jem i sinqertë, kam qenë duke menduar për këtë gjë për një kohë të gjatë. Unë nuk po bëhem më i ri dhe ju mund ta shihni, trajneri dëshiron të ketë lojtari më të rinj në skuadër”, ka thënë Vardy.

“Kjo gjë rezultoi të jetë shumë e mirë gjatë Kupës së Botës, ne arritëm në gjysmëfinale dhe përfunduan në vendin e katërt. Kështu që, unë mundem vetëm t’i them Garethit se mendoj që gjëja më e mirë që nga tani do të ishte të luante me më shumë lojtarë të rinj, të cilët ai mendon se kanë talent dhe t’i përgatisë atë për futbollin ndërkombëtar”.

“Kur zgjedhësh në skuadër, dëshiron që të luash. Nëse po luan çdo javë për klubin tënd, dëshiron të luash edhe për Anglinë. Dhe nëse kjo gjë nuk ndodhë, atëherë mendoj se për moshën time, është më mirë që të qëndroj në shtëpi, të kaloj kohë  me familjen dhe të stërvitem për klubin”.

“Ia kam sqaruar këtë Garethit dhe ai u pajtua me vendimin tim. Ia kisha përmendur edhe pas përfundimit të Kupës së Botës, në Rusi, dhe pastaj bisedova prapë me të para dy jave. Ai më la kohë për t’u menduar dhe pastaj më telefonoi për të më pyetur nëse vetëm kisha bërë shaka në Rusi”.

“Por, unë nuk e kam ndryshuar mendimin. Garethi më tha se mendonte që unë mund të kontribuoj ende për Kombëtaren dhe nuk ma kanë mbyllur derën. Nëse ndodh më e keqja dhe të gjithë lëndohen, atëherë natyrisht se unë nuk do t’i thosha jo”.