Zëvendës-kryeministri në qeverinë e Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se qytetarët e Maqedonisë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e referendumit të pritshëm që ia hap perspektivat Maqedonisë drejt familjes Euro-atlantike. Ai flet për reformat që kërkon BE-ja para fillimit të negociatave, për ndikimin rus, për reflektimin e mundshëm ndaj Maqedonisë të debatit për ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë.

Zëri i Amerikës: Të dhënat nuk janë shumë të qarta në lidhje me planet për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në kufi me Kosovën, që është një gjatësi prej rreth 13km. Në çfarë faze janë këto plane?

Bujar Osmani: Jam bashkërendues i qeverisë për realizimin e kësaj autostrade dhe e udhëheq ekipin që bën përgatitjet. Bëhet fjalë për një autostradë prej 12.4 km, e cila sipas projektit të parë përfshin katër tunele dhe nëntë ura për shkak të vështirësive gjeografike dhe terrenit jo të lehtë për ndërtim që e rrit koston dhe e komplikon procesin e ndërtimit. Pothuaj se në çdo seancë të qeverisë është kjo temë, është futur si përparësia numër një për shkak të leverdisë ekonomike, duke marrë parasysh se Kosova është tregu më i përafërt, më i përshtatshëm, më i madh dhe më i mirë për Maqedoninë për eksport dhe kjo autostradë nuk bëhet për interesa të politikës, por të ekonomisë së vendit. Ajo çfarë po definojmë në ditët në vijim ndoshta edhe gjatë fundjavës është burimi i financimit. Unë si bashkërendues po këmbëngul që të jetë nga mjetet buxhetore vetëm për shkak të dinamikës më të shpejtë të realizimit dhe këtë debat po e bëjmë me ministrinë e Financave se a duhet këto mjete t’i sigurojmë nga Banka Evropiane, bankat vendore apo nga buxheti.