Lehtësim i procedurës për realizimin e së drejtës për pajisje ortopedike, formimin e një komisioni profesional në vend të 14 komisioneve profesionale ekzistuese, i cili do ta vërtetojë listën e ilaçeve, mundësisë për shfrytëzimin e nënshkrimit elektronik të pranuar në përgjithësi për shkak të skadimit të vlefshmërisë së kartelës shëndetësore.

Këtë mes të tjerash e parashikon Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për sigurim shëndetësor në lexim të parë, të cilin Komisioni parlamentar për shëndetësi në seancë konstatoi se është i pranueshëm dhe mund të jepet për lexim të mëtutjeshëm.

Ndryshimet dhe plotësimet i arsyetoi zëvendës-ministri i Shëndetësisë Asim Musa, i cili tha se po sillet kategori e re e personave të siguruar- fëmijë me pengesa në zhvillim dhe me nevoja të veçanta për të cilët shfrytëzohet shtesë e veçantë dhe të cilat në situata të dhëna nuk kanë bazë për sigurim, si dhe fshirjen e kushtit nga pagesa e obliguar gjashtëmujore e kontributeve për sigurim shëndetësor për realizimin e së drejtës së pajisjeve ortopedike.

Theksoi se të siguruarit do të mund ta realizojnë të drejtën e pajisjeve ortopedike të përgatitur nga materiali më i standardizuar modern dhe cilësor, ndërsa FSSH do të mbulojë pjesën e cila ka të bëjë me çmimin referent të cilin e paguan edhe për ndihmesat standarde ortopedike.

Zëvendëskryetare e Komisionit, Jagoda Shahpaska nga LSDM-ja theksoi se vendimi për atë se cilat ilaçe do të vendosen në listën pozitive të FSSh-së deri më tani e kanë bartur 14 komisione të përbëra nga 17 anëtarë, ndërsa shpenzimet ishin të mëdha. Me zgjidhjen e re ligjore, sqaroi ajo, po bëhet kursim serioz dhe po propozohet një komision të cilin do ta përbëjnë nëntë anëtarë edhe atë tre mjekë specialistë, nga dy përfaqësues të FSSH-së dhe Ministria e Shëndetësisë, një farmakolog klinik dhe një farmacist.

Ajo tha se po definohen kriteret përmes të cilave mund të bëhesh anëtar i ndonjërit komision i cili do të vendosë për listën pozitive të ilaçeve. “Kërkohet përvojë prej minimum 10 viteve për mjekët specialistë, për farmacistin dhe farmakologun klinik. Ky paraqet kriter serioz, sepse me të vërtetë qëllimi i personave kompetentë profesionistë që të vendosin për atë që paraqet nevojë thelbësore të qytetarëve”, tha Shahpaska.

Sqaroi se zgjidhja deritanishme ligjore ishte në drejtim të asaj se një anëtar i komisionit mund të jetë vetëm një vit pa mundësi për rizgjedhje, ndërsa tani propozohet një mandat në kohëzgjatje prej një viti me mundësi për rizgjedhje për edhe një vit tjetër.  Kompensimi në para i anëtarëve të komisionit në vend që të përcaktohet në bazë të seancave të mbajtura, potencon, ai tani do të jetë për një anëtar 50 për qind nga të ardhurat mesatare personale në Republikën e Maqedonisë, megjithatë, vetëm në muajt kur mbahen seancat e komisionit i cili vendos për listën pozitive të ilaçeve.

Ajo theksoi se kartela elektronike e deritanishme shëndetësore  përmbante vetëm të dhënat personale të pacientit dhe a kishte paguar kontribute dhe shtoi se mendimi për sigurimin e kartelës së   re elektronike e cila do t’i përmbajë të gjitha të dhënat, grupin e gjakut, sëmundjet, terapitë, alergjitë, mjekimet, pajisjet ortopedike… është shkaku se pse deri më tani nuk po përgatitet tender i ri për përpunimin e saj.

Sipas kryetares së Komisionit, Mirsada Emini Asani, ndryshimet dhe lehtësimet e procedurës për realizimin e së drejtës për pajisje ortopedike janë shumë të rëndësishme.

Vankover Mançev nga VMRO-DPMNE-ja e përshëndeti zvogëlimin e numrit të komisioneve profesioniste të cilat e konfirmojnë listën e ilaçeve, por sipas tij, zvogëlim të kritereve për drejtorin e Fondit dhe mënjanimi i testit psikologjik dhe testit të gjuhëve me rang listë më të ulët le dyshime.

“Ajo që nuk është përfshirë në shërbimet shëndetësore janë vaksinat e pa obliguara. Në programin e Qeverisë së vitit 2019 shkruan se vaksinat kundër streptokokut dhe rota virusi do të vendosen  në kalendar, por kjo ende nuk është kështu”, tha Mançev.

Zëvendësministri Musa tha se nuk ka informacione për momentin se deri ku është zbatimi i vaksinave, ndërsa Katerina Kuzmanovska nga LSDM-ja theksoi se në vijim është procedura për zbatimin e vaksinës kundër streptokokut dhe vaksinës kundër rota virusit.

“Sa i përket shëndetësisë janë bërë hapa të mëdhenj. Me rritjen e kujdestarive e dimë se sa janë rritur pagat e mjekëve. Nga shtatori do të rriten për pesë për qind, deri në fund të vitit presim rritje të re, janë zgjidhur problemet e mjekëve privatë në specializim. Shpresoj se deri në fund të mandatit do të përmbushet ajo e cila u ishte premtuar mjekëve”, shtoi Kuzmanovska./MIA