Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Paul Parker, beson se shkarkimi i trajnerit Jose Mourinho dhe emërimi i një trajneri të ri do ta sillte një ndryshim shumë të nevojshëm në Old Trafford, në mënyrë që ky sezon të jetë sa më i suksesshëm.

Sipas Parkerit, Manchester Unitedi duhet ta shkarkojë Jose Mourinhon sepse ai po e ulë edhe kualitetin e skuadrës, përkundër faktit që ka shumë yje në klub, përcjell Gazeta Express.

Mourinhos do i duhet të luftojë për të siguruar rezultate më të mira gjatë ndeshjeve të ardhshme të sezonit të ri të Premierligës, pasi që nga tri ndeshjet e para i ka siguruar vetëm tri pikë. Ky ka qenë fillimi më i keq i një sezoni të ri për Manchester Unitedin në 26 vitet e fundit.

“Ata janë duke luajtur futboll shumë të dobët. Performancat e tyre kanë qenë shumë të dobëta dhe shumë njerëz janë duke thënë se Mourinho është një fitues dhe gjithçka që bën ai është për të siguruar fitore. Por, Manchester Unitedi nuk janë të përqendruar vetëm në mbrojtje”, ka thënë Parker.

“Ata duan stil më sulmues të futbollit, për Manchester Unitedin është e rëndësishme edhe mënyra e sigurimit të fitores. Këtë gjë nuk po e bëjnë më. Këtë gjë ja u ka larguar Mourinho”.

“Po i paguajnë lojtarët miliona euro dhe ai përsëri po tenton t’i kontrollojë ata. Kjo gjë nuk ka kuptim për një klub si Manchester Unitedi. Në fund të ditës, Manchester Unitedi duhet të ndryshojë. Stili i tyre i lojës nuk do të ndryshojë derisa Jose Mourinho është në kontroll”.

“Është mënyra se si ai e organizon lojën që po i bën edhe lojtarët të duken më të dobët”