Nga Arian Galdini
Kemi thënë e mësuar se Demokracia, që nga koha e Perikliut, mishërohej tek  Lideri.
A thua të jetë edhe sot e Vërtetë kjo?
Druaj, se në ditët që po jetojmë i gjithë ky besim periklian është vënë në dyshim.
E them këtê sepse kudo zien një revoltë kundër elitave, kundër establishmentit, etj, etj.
Por mbi gjithçka e këdo në botë, më paradoksalët e më qesharakët janë Analistët shqiptarë të cilët ndërsa paguhen me rroga disamijëra euro në muaj nga Oligarkët mediokër, pasi i kanë blerë vilat e tyre luksoze në lagjet luksoze dhe ekskluzive të Oligarkëve, pasi kanë prenotuar pushime, udhëtime, eksplorime bashkë me oligarkët, dalin nëpër Tv e shkruajnë nëpër portale e gazeta kundër Oligarkëve dhe për nevojën e madhe që ka Shqipëria për lëvizje politike antiestablishment.
Pikërisht këtu tek ne ndalet edhe ora normale e lëvizjeve globale.
Ne Monarkinë e ndërtuam sui generis, ne Komunizmin e ndërtuam sui generis, ne postkomunizmin dhe konsensusin negativ të elitave e zhvilluam sui generis, e gjithashtu edhe Oligarkinë edhe lëvizjet antiestablishment vijojmë ti kemi sui generis.
Në thelb dhe normalisht ngado në botë lëvizjet antiestablishmet janë revoltë që përkthehet në krizë të fortë autoriteti, e cila përpin të gjithë ata që kanë pushtet politik, social, nga politikanët tek drejtuesit e institucioneve, nga burokratët tek teknokratët, e madje edhe profesorët tek magjistratët, nga gazetarët tek shkencëtarët.
Sepse mosbesimi dhe fryma e zemëratës po godet me rreze të gjerë ngado e këdo, pikësëpari, drejtuesit e partive, mbajtësit e pushtetit social më me influencë: atë politik.
Vala e mosbesimit dhe zemëratës po përplaset  nëpër Europë e më gjerë mbi udhëheqësit kombëtarë të këtyre vendeve, duke u “prerë kokat”, e duke i hedhur tutje si një çorape e përdorur.
Dhe në fund fare, po përmbyllet duke zëvendësuar aktorin a aktorët kryesorë.
Mjafton të shfletosh albumet e Nëntëqindës, dhe t’i vësh përballë fotografive të çastit të këtij fillimi mijëvjeçari. “Shekulli i shkurtër” kurorëzoi një Panteon udhëheqësish, që në të njëjtën kohë ishin kampionë të jetëgjatësisë politike: personazhe si Franklin Delano Roosevelt (katër mandate presidenciale të njëpasnjëshme: 1933-1945), ose si Helmut Kol (edhe ai katër fitore elektorale: 1982-1998). Dhe në Itali, De Gasperi, Moro, Craxi, Andreoti.
Po tani?
Duket sikur kemi një ngjitje të shpejtë të homunculus normalis, me të gjithë tiket dhe paragjykimet kulturore që dëgjohen për këta lloje liderësh të ditëve tona.
Përtej Adriatikut, zgjedhjet e fundit kanë kurorëzuar duke u dorëzuar çelësat e pushtetit, disa personazheve anonimë, të zakonshëm.
5 Yjet e Komedianit Grillo dhe Liga e Dramatikut Salvini janë bërë bashkë në një koalicion që po qeveris Italinë dhe nëse ka një gjë që të gjithë e dinë dhe e pranojnë tashmë, është se Lideri dhe Intelektualizmi kanë vdekur e mediokriteti po lulëzon në krye të Qeverisë Italiane.
Kriza e partive ka prodhuar një sistem vertikal, të bazuar në marrëdhënien direkte mes Shefit, Udhëheqësit të Partisë dhe zgjedhësve të tij.
Psh, këtu tek ne ka qenë ngahera kështu, Kryetarokraci. Kryetari i Partisë e bën drejtimin e Partisë dhe madje edhe fushatën zgjedhore krejt i vetëm nën besimn se në fund votohet vetëm Ai e jo Ekipi, jo Partia, jo Programi.
Nëse tek ne kriza e partive është një histori e përhershme dhe e vetmja mënyrë politike që ne njohim, me shumë gjasa partitë politike në Perëndim janë duke përjetuar ditët e tyre më të zeza e më pak demokratike.
Sigurisht kultura dhe tradita demokratike e kaherahme e ndihmon Perendimin që së paku të mos i shndërrojë këto parti në dëmtuese të vendit dhe inatitucioneve, por nuk i shpëton dot nga kriza e mosfrymëzimit dhe gjendja e kënetëzimit.
Interesant është fakti se edhe Partitë e reja që lindin si reaksion ndaj krizës së Partive tradicionale në Perëndim, nuk i shpëtojnë dot modelimit të gabuar të marrëdhënies direkte të Udhëheqësit me popullin.
Populizmi është e vetmja rrugë që ka mbetur.
Kur Partia varet vetëm nga marrëdhënia e Udhëheqësit me popullin, nuk vlejnë më as idetë, as parimet, as vizioni, as programi, as alternativa, asgjë.
Gjuha mediokre populiste, kur nuk udhëheq por ushqen popullin me mediokritetet e kafeneve të shndërruara në fjalime politike, është i vetmi shteg suksesi në këto kohë.
Në të vërtetë, e kishte parashikuar shumë mirë Umberto Eco, me disa faqe (të paharrueshme) në vitin 1963: “Fenomenologjia e Mike Buongiornos”.
Eko pyeste asokohe:
Nga buron suksesi i prezantuesit më popullor televiziv në Itali?
Përgjigja: Nga gafat e tij, nga italishtja bazike që fshinte krejt lidhëzat, nga mediokriteti që që shpalosej si një flamur. Buongiorno përfaqësonte njeriun mesatar, madje atë minor. Dhe ishte ekzaktësisht kjo arsyeja e pëlqimit universal për të: duke e parë në televizor, askush nuk do të mund të ndihej inferior. Shkurt, në kohën e tij, Buongiorno shprehte një ideal të ri kolektiv, një kampion me të cilin njerëzit të identifikoheshin: jo supermeni, por “everyman-i, njeriu çfarëdo.
Gjysmë shekulli më vonë, everyman-i triumfon edhe në politikë.
A e keni vënë re sesi pothuajse në mënyrë uniforme të gjithë Udhëheqësit e kohëve të sotme e kanë të folurën e thjeshtë e të drejtpërdrejtë, me mos-honepsjen e liturgjive partiake.
A nuk ju përngjason Edi Rama me tipikun e Udhëheqësit mediokër që shkëlqen me fjalime plot fjalë e fjali të bukurndërthurrura por pa asnjë ide e vizion?
A nuk ju vjen ndërmend se çitjanet apo shallvaret e tij dhe atletet që vesh sipas qejfit të tij, janë në të vërtetë pjesë e kësaj strategjie komunikimi dhe e këtij mesazhi kinse moskokëçarjeje dhe rrebelimi?
Komunizmi ishte rrebelimi i klasave të ulëta për të fituar pushtetin.
Në Shqipëri, mediokriteti apo “everymani” po shkëlqen nën maskën e rrebelimit antiestablishment për të vrarë intelektualizmin dhe mendimin kritik, që kësisoj pushtetin ta marin Kaqolat.
Politikanët i kemi ekstremisht të pasur sepse janë plaçkitës. Madje i kemi aq të pacipë saqë e demonstrojnë plaçkëbërjen dhe pasurimin e tyre të paligjshëm si hajna, plot krenari duke bërë jetë mondane, ekskluzive, prej fashionistash nga Beverley Hills, duke ekspozuar pasione e trille adoleshenteske prej yjesh të showbiz, teksa udhëheqin një nga vendet më të varfra në Europë.
Kështu që kur këta flasin thjeshtë, si antipolitikë, si rrebelë, si të zemëruar me Oligarkinë, etj, etj, e sigurtë është se asnjëri  prej tyre nuk është aspak njëri prej nesh.
Psh, në Itali para pak vitesh e provoi Renzi, me mënyrat e tij të spikatura, me idenë e përmbysjes së klasave të vjetra drejtuese.
Por përmbysësi, po të kishte pasur sukses, donte thjesht të shndërrohej ai vetë në klasë drejtuese.
E bëri Edi Rama kur mori PS me antinanoizmin e tij.
Sot Edramizmi apo Rilindja janë kasta sunduese e padiskutueshme dhe fuqiplotë e PS.
A mund të jetë kjo ideologjia e re,  neo-empirizëm, neo-realizëm, neo-pozitivizëm, neo-korporativizëm, neo-kontraktualizëm, neo-ekspresionizëm, neo-gotik e kështu me radhë?
A mund të jetë kjo një sëmundje e re që buron edhe nga psh përvoja horizontale që gjithësecili prej nesh përjeton në Internet?
Me google dhe info interneti neve mesohemi me moton “bëje vetë!”, që nga të vetëmësuarit për sëmundje nga më të shumëllojshmet, deri tek vetëpublikimi i një libri elektronik.
Me një cel në dorë, me një profil facebooku dhe me komente blogjesh, neve ndihemi Zotërit e Botës.
Kjo sëmundja e sotme e internetit krahas demokratizimit masiv ka shuar edhe çdo cipë e standart a metodologji krahasueshmërie, vlere, cilësie.
Shumë nga të informuarit e të qasurit në internet mendojnë se kanë dije mjaftueshëm për të dhënë mendime për gjithçka e për të debatuar me këdo.
Ndërkohë, kjo është bërë stigma dhe sigla politike e kohës që jetojmë: demokracia e jo-liderëve.
Kryetarët flasin me popullin.
Në krah e poshtë tyre zgjedhin Kaqola që janë aty thjesht si dëftues të udhës sesi duhet adhuruar Kryetari.
Problemi është se këta Kaqolat kur marin mandate deputeti dhe bëhen zëri, fytyra dhe muskujt politikë të Kryetarit, nuk kanë më as cipë e as vetëdijësim për mundësinë se jashtë rrethit të tyre të pushtetit mund të ekzistojnë njerëz tê ndershëm, tê zotë, të talentuar, me ide, me mendime, etj.
Për Kaqolat ka vetëm 3 kategori sociale: Kryetari, Populli që adhuron Kryetarin dhe Armiqtë.
Loading...
  ga('create', 'UA-63475902-1', 'auto', {'name': 'newTracker'});  // New tracker.   ga('send', 'pageview');   ga('newTracker.send', 'pageview'); // Send page view for new tracker.