Nga Xhelal Zejneli

Ka kohë që Serbia ndaj Kosovës ndjek luftë speciale dhe luftë psikologjike. Një shtet që në kohë paqeje ndjek ndaj fqinjit të vet luftë speciale dhe luftë psikologjike, nuk është i denjë për të zhvilluar bisedime për arritjen e një marrëveshjeje. Ka kohë që krerët politikë të Serbisë kërkojnë arritjen e një kompromisi rreth “çështjes” së Kosovës. Me fjalën kompromis, Beogradi nënkupton shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës. Krerët politikë të Serbisë sot haptas dalin me idenë për ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës është një ide e vjetër e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.

Kompromisi për Kosovën është arritur me Planin e Marti Ahtisarit. Sipas këtij plani, Kosova është ndërtuar si shtet multietnik dhe demokratik, në të cilin, shumica absolute shqiptare ua njeh të gjitha të drejtat bashkësive etnike joshqiptare, si në asnjë vend tjetër të BE-së.

Serbët duhet ta dinë se nuk ekziston çështja e Kosovës. Përkundrazi, ekziston çështja e bashkësive etnike joserbe që ndodhen nën Serbinë e Madhe – e shqiptarëve në Kosovën lindore, e myslimanëve në Sanxhak dhe e hungarezëve në Vojvodinë – ndaj të cilëve Serbia ndjek politikë diskriminuese.

Statusi i Kosovës është përcaktuar me Planin e Ahtisarit, ndaj çfarëdo dialogu tjetër rreth Kosovës dhe lidhur me të, është i panevojshëm. Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel ka qenë fare i panevojshëm, për arsye se liritë dhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë, përfshi edhe ato të pakicës serbe, kanë qenë dhe janë të garantuara sipas standardeve evropiane më të larta. Mirëpo Beogradit kurrë nuk i kanë interesuar të drejtat e serbëve të Kosovës, por territori i saj. Rrjedhimisht, më parë se për serbët e Kosovës, të cilëve nuk u mungon asnjë e drejtë, Beogradi duhet të kujdeset për sigurimin dhe garantimin e të drejtave kombëtare të bashkësive etnike joserbe që ndodhen nën sundimin serb.

*   *   *

            Çështjen e Kosovës Beogradi ka synuar ta paraqesë si çështje që u dashka të zgjidhet midis Serbisë dhe Shqipërisë. Duke e shtruar Kosovën si çështje midis Serbisë dhe Shqipërisë, Beogradi synon ndarjen e Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Etno-nacionalistët serbë duhet të pajtohen me realitetin se s’ka çështje të Kosovës. Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe demokratik, i njohur nga 117 vende të botës.

Ndarja territoriale do të komprometonte vendimet dhe veprimet e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe të Brukselit. Do të vihej në dyshim Plani i Ahtisarit, do të diskreditohej edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës, shpallja e pavarësisë së Kosovës, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, ka qenë akt i justifikueshëm.

Vitet e fundit, diplomacia serbe s’ka lënë derë pa trokitur për t’i bindur qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes se “çështja e Kosovës” nuk është zgjidhur dhe se kërkuaka zgjidhje. E zgjidhja, sipas millosheviqistëve dhe sheshelistëve, na qenka ndarja e saj. Por, Beogradi duhet ta dijë se millosheviqistët dhe sheshelistët janë forca të mundura. Të mundura, jo nga bashkësia ndërkombëtare por nga ideologjia vetanake retrograde dhe antidemokratike. Krerët politikë serbë, të nxitur edhe nga klerikët serbë, duan ta ringjallin një ideologji anakronike.

Serbët duhet ta dinë se:

– kurrë në histori ndarjet territoriale nuk janë bërë pa luftë;

– ndarjet territoriale shpijnë në krijimin e shteteve etnike, gjë që është në kundërshti me parimet dhe me vlerat themelore të Bashkimit Evropian;

– krijimi i shteteve etnikisht të pastra është në kundërshti me parimet themelore demokratike.

 

Ndarja territoriale do të legjitimonte synimet e Ankarasë për ndarjen e Qipros dhe për bashkëngjitjen e saj Turqisë.

Kur është fjala për kutinë e Pandorës, duhet thënë se Pandora apo efekti i dominos në rajon e më gjerë, fare nuk i intereson Serbisë. Ajo shikon interesin kombëtar të vet.

Po të ndodhte amputimi i një pjese të territorit të Kosovës, shqiptarët sakaq do fillonin procesin e bashkimit kombëtar. Sipas efektit të dominos, Bosnja dhe Hercegovina do të ballafaqohej me tendencat qendërikëse që do të çonin në shpërbërjen e saj.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është një çështje historikisht e justifikueshme. Kjo mund të ndodhë në rrugën paqësore, në çast të volitshëm dhe në marrëveshje me partnerin strategjik të shqiptarëve – ShBA-në. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të ishte në interes të paqes dhe të stabilitetit të Ballkanit.

Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë për rritjen e kapaciteteve ekonomike dhe për ndërtimin e ekonomive kompatibile, në mënyrë që Kosova të mos mbetet treg i mallrave të importuara nga Serbia.

*   *   *

Sipas Beogradit, “çështja” e Kosovës do të mund të zgjidhej më lehtë nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, pa implikimin e faktorit të jashtëm. Kjo dëshirë e Beogradit nënkupton përjashtimin e Uashingtonit dhe të Brukselit nga dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, që zhvillohet në Bruksel.

Sipas Beogradit, në zgjidhjen e “çështjes” së Kosovës do të kishte qenë mirë të implikohen edhe vende të tjera. Me këtë dëshirë të serbëve nënkuptohet që në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, krahas perëndimorëve, të marrë pjesë edhe Rusia.

Duke folur për Kosovën, kryetari serb – Vuçiq ka cekur edhe konfliktin e ngrirë, duke thënë: “Në Serbi ka zëra të cilët kërkojnë që çështja e Kosovës të mbetet konflikt i ngrirë. Të presim dobësimin e ShBA-së dhe forcimin e Rusisë dhe të Kinës. Pas kësaj ta shtrojmë   zgjidhjen e problemit… ”. Dëshira serbe që “çështja” e Kosovës të mbetet një konflikt i ngrirë, nënkupton shpresën e Beogradit për ndryshimin e raportit të forcave apo të konstelacionit në skenën gjeopolitike. Cenimi i sovranitetit të Kosovës dhe i tërësisë tokësore të saj, në aspektin gjeopolitik do të paraqiste fitore të Rusisë.

Sipas kryetarit të Serbisë – Vuçiqit, mosarritja e një marrëveshjeje për Kosovën mund të shpie në konflikt. Ky prononcim i tij paraqet kanosje për Kosovën. Me një fjalë, po qe se gjatë dialogut në Bruksel nuk arrihet marrëveshje, Serbia (me mbështetjen e Putinit), do të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë. Është detyrë e Uashingtonit dhe e Brukseli që ta paralajmërojnë Beogradin se diskursi luftarak nuk është në dobi të asnjërës palë. Diskursi i krerëve të politikës serbe sot, fare nuk dallon nga ai i kohës së Millosheviqit.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk filloi për zgjidhjen e statusit të Kosovës apo për ripërkufizimin e saj. Kosova e ka statusin të zgjidhur – është shtet i pavarur dhe demokratik. Me kalimin e kohës, serbët i dhanë dialogut kah tjetër. Në çastin kur serbët i dhanë dialogut drejtim tjetër, Prishtina duhej t’i ndërpriste takimet në Bruksel. Vazhdimi i dialogut, me lehtësuesit evropianë, tanimë nënkuptonte arritjen e një kompromisi, e kjo nënkupton që secila nga palët duhet të lëshojë pe. Kompromisi për shqiptarët nuk paraqet fitim.

Vetëm në politikë, asgjë nuk ndodh rastësisht. Në këtë me duhet theksuar dy gjëra:

– e para, vitet e fundit, diplomacia serbe zhvilloi nëpër kancelaritë e fuqive perëndimore një fushatë të egër antishqiptare;

– e dyta, veprime të caktuara në botën shqiptare, nuk janë në përputhje me vlerat dhe me parimet perëndimore, gjë që ka pasur për pasojë zbehjen e mbështetjes së perëndimorëve ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se për të ndërtuar shtet nuk mjafton vetëm dëshira e flaktë dhe elaborimi teorik i të drejtës historike apo etnike. Për të ndërtuar shtet nevojitet edhe forcë dhe aftësi shtetformuese e një populli. Popujt që funksionojnë me mikrovlera ngecin pas atyre që funksionojnë me makrovlera.. Shoqëritë që ndërtojnë mikrosisteme ngecin pas shoqërive që ndërtojnë makrosisteme. Popujt që veprojnë në mikroplan nuk shkojnë në hap me ata që veprojnë në makroplan.

Përpos kësaj që u tha më sipër, duhet shtuar se Uashingtoni dhe Brukseli nuk ia dolën të gjejnë mënyrën për ta bindur Serbinë që të heqë dorë nga Kosova, ta njohë pavarësinë e saj dhe ta respektojë tërësinë tokësore të saj. Me fjalë të tjera, qendrat e sipërthëna nuk shohin mënyrë sesi ta vënë veriun e Mitrovicës nën qeverisjen e Prishtinës.

Për ta arritur qëllimin e vet, nuk përjashtohet mundësia që Serbia në Kosovë të inskenojë ndonjë incident, të cilin do ta shfrytëzonte si pretekst, që me ndihmën e Putinit të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak.

Pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës sot, mbështeten edhe në politikën agresive të Moskës. Sipas serbëve, Rusia e Putinit, nuk është ajo e para njëzet vjetëve. Rrjedhimisht, perëndimorët sot, në vend që ta ndalin luftën speciale serbe dhe t’i dalin zot sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës, ata u sugjerojnë palëve në bisedime – të tregojnë elasticitet apo fleksibilitet.

 Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli duhet ta kenë parasysh faktin se në vitin 1999 Serbia e humbi luftën kolonialiste në Kosovë. Ajo sot, ndonëse humbëse, pretendon të imponojë kushte për zgjidhjen e “çështjes” së Kosovës. Kurrë s’ka ndodhur në histori që pala humbëse t’i diktojë kushte palës ngadhënjyese. Përpos kësaj, bazuar në investimet e vendeve të caktuara të Perëndimit, duket sikur Serbia është shndërruar në të përkëdhelurën e tyre.

Preokupimet e Serbisë lidhur me Kosovën, më parë se me pozitën e pakicës serbe, kanë të bëjnë me synimet e saj për zotërimin e pasurive të Kosovës, sidomos të Trepçës.

Çfarë dialogu mund të zhvillohet me një Serbi, e cila krahas dialogut, kryen edhe stërvitje ushtarake mu pranë kufijve të Kosovës. Beogradi demonstron forcë dhe ndjek politikën e forcës. Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet ta lejojnë një gjë të tillë.

Po qe se Vuçiqi, ky dhelpër i rrezikshëm i Ballkanit dhe bashkëmendimtari i tij – Daçiq nuk e ndërpresin retorikën luftënxitëse ndaj Kosovës, atëherë kombi shqiptar në Ballkan do të duhej t’i rishqyrtonte të gjitha marrëdhëniet me Beogradin – politike, diplomatike, ekonomike… Në konflikt të hapur me shqiptarët, Serbia do ta kishte të vështirësuar integrimin në BE.

*   *   *

Ndër shqiptarë mbizotëron bindja se kufiri midis Kosovës dhe Malit të Zi u vendos në dëm të Kosovës. Flitet se në dëm të shqiptarëve po vendoset edhe çështja e detit me Greqinë. Tani krerët politikë serbë flasin për një ndarje territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shqiptarët kësisoj, njësoj si në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1013), po shndërrohen në kurban të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Retorika luftënxitëse e Beogradit ndaj Kosovës po intensifikohet në një kohë kur Shkupi dhe Athina arritën Marrëveshjen e Prespës, me të cilën parashikohet të zgjidhet kontesti rreth emrit. Kjo marrëveshje mbështetet nga një pjesë e madhe e shqiptarëve në Maqedoni. Uashingtoni dhe Brukseli e kanë më se të qartë se marrëveshja e sipërthënë që ia hap rrugën Maqedonisë për në NATO dhe në BE, nuk do të kalonte pa mbështetjen e shqiptarëve.

Si është e mundur që shqiptarët të dalin humbës, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, kur në Bonstil të Kosovës ndodhet baza ushtarake e ShBA-së, kur në Kuçovë po modernizohet baza ushtarake ajrore, e mbështetur nga NATO-ja. Aleanca Veri-Atlantike dhe bazat ushtarake të saj apo të ShBA-së duhet të shërbejnë për të mbrojtur  sovranitetin dhe tërësinë e tokave të Kosovës. Ndryshe, ç’kuptim do të kishin këto baza ushtarake?! Krahas mbështetjes së pavarësisë së Kosovës nga Uashingtoni dhe Brukseli, shqiptarët kanë nevojë edhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe të tërësisë tokësore të saj.

Klasa politike shqiptare përgjegjësi dhe faj nuk duhet të kërkojnë vetëm te të tjerët, por edhe në vetvete. Klasa politike shqiptare apo edhe mbarë shoqëria shqiptare duhet të punojnë dhe të veprojnë për ta rritur aftësinë shtetformuese të shqiptarëve. Vice versa, kombi shqiptar nuk do të mund të shkojë në hap me tendencën historike.

Qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina, duhet ta kenë parasysh faktin se fuqitë perëndimore kanë interes strategjik, jo vetëm te shqiptarët, por edhe te serbët. Shqiptarët natyrshëm i takojnë sferës perëndimore të ndikimit dhe zonës perëndimore të interesit. Duke lëshuar pe para kërkesave të caktuara të Beogradit, perëndimorët synojnë ta përvetësojnë Serbinë, këtë satelite politike tradicionale të Rusisë, me qëllim të reduktimit të ndikimit rus mbi të.

*   *   *

Serbia do të kishte dashur që shqiptarët të ndërmerrnin hapin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që më pas, me ndihmën e Rusisë dhe me pretekstin e mbrojtjes së pakicës serbe, të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë. Kjo të përkujton ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Qipro, në vitin 1974. Mirëpo, as është Serbia e përmasave turke, as është Kosova Qipro.

S’ka fuqi që mund t’i detyrojë shqiptarët të nënshkruajnë në dëm të vetin. Asnjë shqiptar nuk ka mandat të nënshkruajë dorëzimin e territoreve të Kosovës. Çfarëdo veprimi i njëanshëm, i ndërmarrë nga Serbia, për shqiptarët do të jetë i papranueshëm.

Atë që shqiptarët, me ndihmën e aleatëve të vet, e fituan me luftë çlirimtare kundër kolonializmit serb në Kosovë, nuk mund ta humbin në tryezën e bisedimeve.

Serbia duhet të pushojë së jetuari me mitet e mesjetës. Sintagmat “Kosova – djep i Serbisë” apo “Kosova – Jerusalem i Serbisë”, në shekullin XX, nuk janë veçse anakronizëm. Serbët duhet të pushojnë së qeni populli më arrogant dhe më megaloman i gadishullit. Serbët janë i vetmi popull në botë, të cilët fare pa turp, e konsiderojnë veten popull hyjnor.

Serbia është i vetmi shtet i Ballkani që është kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, në vend që ta pranojnë Serbinë në BE, duhet të kërkojnë prej saj:

– ta njohë pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj si dhe tërësinë tokësore të saj;

– të heqë dorë nga ideologjia garashaniniste, për t’i dhënë fund një herë e mirë synimit për krijimin e Serbisë së Madhe.

Me shpërbërjen e amalgamës jugosllave, shqiptarët e Kosovës ishin trashëgues të shtetësisë. Në periudhën vijuese, e sidomos pas çlirimit nga sundimi kolonial serb, shqiptarët e Kosovës ishin mbartës të shtetësisë. Si të tillë, ata demonstruan kapacitet shtetformues, duke ndërtuar një shtet demokratik, me të drejta të plota për të gjithë qytetarët, përfshi edhe grupet etnike joshqiptare, ku bën pjesë edhe minoriteti serb.

*   *   *

            Shqiptarët jetojnë nën një rrethim tragjik. Ata duhet ta dinë se kryeqendrat e fuqive historike të Evropës – Londra, Parisi, Berlini, Roma apo edhe Vjena, nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për t’u dalë zot atyre. Interesin kombëtar, shqiptarët mund ta realizojnë vetëm me mbështetjen e Uashingtonit.

            Shqiptarët janë të bindur se interesi strategjik i ShBA-së nuk ndryshon, pavarësisht nga fakti se kush është në krye të administratës  amerikane. Administrata e sotme e ShBA-së e di fort mirë se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Shqiptarët besojnë se Perëndimi do të zotohet për ta mbrojtur sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës demokratike.

Shqiptarët sot, nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të veçantë, për arsye se ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Loading...
  ga('create', 'UA-63475902-1', 'auto', {'name': 'newTracker'});  // New tracker.   ga('send', 'pageview');   ga('newTracker.send', 'pageview'); // Send page view for new tracker.