Nga Muhamet Hamiti

(Profesor i Universitetit të Prishtinës, këshilltar për media i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, këshilltar politik i Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.)

Kosova po degradon prej çështjes ndërkombëtare, e zgjidhur me Marrëveshjen e Vjenës/Ahtisarit (2007), që e parashtroi në Këshillin e Sigurimit Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun, dhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008, e njohur nga 115 anëtare të OKB-së, në çështje të pazgjidhur të Ballkanit.

Kjo u pa në Forumin Evropian Alpbach të Austrisë mbrëmjen e 25 gushtit të vitit 2018 kur Presidenti i Serbisë qortoi bashkësinë ndërkombëtare, ndonëse përmendte vetëm Londrën (Britaninë e Madhe), pse përzihej në punët e ballkanasve, të serbëve dhe të shqiptarëve, të “dy kombeve më të mëdha” në Ballkanin Perëndimor, siç u shpreh ai, teksa mendjen e kishte te insistimi i Londrës që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë- S erbi të bëhet në bazë të njohjes reciproke të të dyja vendeve në kufijt aktualë.

Paradoksalisht, në këtë linjë,  ndonëse me gjuhë më të butë, të lutjes bashkësisë ndërkombëtare që të pranojë zgjidhjen që do të arrijnë ai dhe Vuçiqi për ndryshim të kufijve (me eufemizmin ‘korrigjim i kufijve’) Kosovë – Serbi, ishte edhe paraqitja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në këtë forum.

Kërkesa e liderëve ballkanas drejtuar bashkësisë ndërkombëtare ta kujton paevitueshëm moton serbe “Ballkani ballkanasve” (Balkan balkancima) nga viti 1912, kur Serbia e pushtoi Kosovën, e cila duket se po riaktualizohet.

Presidenti famëkeq i Serbisë Sllobodan Millosheviq – i njohur botërisht me nofkën ‘Kasapi i Ballkanit’, ministër i informatave i të cilit në kohën e luftës së Kosovës (1999) ishte Vuçiqi, poashtu gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar insistonte që ai ‘ta zgjidhte’ problemin e Kosovës drejtpërdrejt me shqiptarët. Përpjekja e tij për ta bërë këtë ishte në të vërtetë spastrimi etnik i Kosovës me deportimin e 900.000 shqiptarëve të Kosovës, i cili, për fatin e mirë të shqiptarëve, në vitin e tragjedisë e të mrekullisë që ishte 1999-shi, nuk u bë realitet falë ndërhyrjes së Aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur bota, NATO-s. Përpjekja e Millosheviqit dështoi poashtu sepse udhëheqja shqiptare e Kosovës, nën drejtimin e Presidentit Ibrahim Rugova, kishte ngulmuar që biseda me Serbinë pa ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-ve nuk mund të kishte, ndërsa shqiptarët, UÇK-ja, me aq fuqi sa kishin, luftuan edhe me armë kundër Serbisë.

Motoja serbe ‘Ballkani ballkanasve” tingëllon keq e ndjell zi edhe sot, 106 vjet mbas lindjes së saj, sepse fajëson bashkësinë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës./Illyria