Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 03:00, është sulmuar me breshëri automatiku shtëpia e gazetares Klodiana Lala.
Mësohet se breshëria e plumbave shtë derdhur në shtëpinë e babait të saj, ku ndodheshin brenda familjarët e gazetares, vëllai, babai dhe dy fëmijët e Klodiana Lalës.
Shtëpia e babait të gazetares Lala, është qëlluar me 10 plumba. Dy plumba kanë kapur kasën e derës, ndërsa të tjerët në muret rrethuese. Sulmi mendohet se është kërcënim ndaj gazetares Klodiana Lala.
Gazetarja Lala është nga të paktat gazetarë investigative të krimit në vend dhe është përballur shumë herë me presione.
Mësohet se shtëpia e babait të gazetares Lala, është shpesh edhe strehë e saj, ku ajo lë fëmijët dhe kalon një pjesë të madhe të kohës.
Mësohet se ajo në atë orë nuk ndodhej në shtepinë e babait të saj, ndërsa mësohet se plumbat kanë goditur muret dhe derën e shtëpisë.
Deri tani policia e shtetit vazhdon të heshtë dhe të mos konfirmojë ngjarjen. Sa herë ndodhin krime të tilla të rënda, policia hesht. Eshtë dashur reagimi i parë nga mediat që më pas policia të pranojë sulmet dhe krimet që po ndodhin. Edhe reagimet e policisë synojnë manipulimin e ngjarjeve duke u implikuar direkt në këto ngjarje të rënda.
Situata paraqitet mjaft e rëndë dhe krimi shtetëror po jep prova se ka dalë jashtë kontrollit. Sulmi ndaj gazetares Lala nuk është i pari që ndodh ndaj medias kritike me qeverinë, por në asnjë rast autorët e këtyre sulmeve ndaj gazetarëve nuk kapen nga policia duke i dhënë këtyre krimeve ngjyrime të forta politike.
Policia po përpiqet ta manipulojë dhe ta trajtojë si çështje private ashtu siç ka ndodhur rëndom me sulmet ndaj gazetarëve në Shqipëri, ndërkohë që ngjarja duket të jetë një sulm kriminal i bandave me armë ndaj një ikone të gazetarisë së kronikës.