Sulmuesi i Tottenhamit, Harry Kane, ka thënë që mungesa e transferimeve të lojtarëve të rinj në Tottenham këtë afat kalimtar i ka dhënë skuadrës më shumë vetëbesim. Ata kanë filluar sezonin e ri të Premierligës duke siguruar fitore në të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Mbrëmë në Old Trafford u zhvillua ndeshja mes Manchester Unitedit dhe Tottenhamit, që përfundoi me rezultat 3-0. Goli i gjuajtur me kokë nga Harry Kane dhe dy golat e Lucas Moura i siguruan skuadrës londineze trepikëshin e tretë në sezonin e ri të Premierligës, transmeton Gazeta Express.

Ish-lojtari i Tottenhamit, Jamie Redknapp, e kishte kritikuar ish-klubin e tij për mungesën e transferimeve të lojtarëve të rinj, duke thënë se kjo gjë do t’i lë ata prapa klubeve të tjera të mëdha angleze. Gjatë këtij afati kalimtar, Tottenhami nuk e kishte transferuar asnjë lojtar, duke u bërë ekipi i parë anglez që bën një gjë të tillë.

Megjithatë, Tottenhami i ka fituar të gjitha ndeshjet deri më tani, fillimi ky më i mirë i Tottenhamit që nga viti 2009. Për këtë arsye, Harry Kane beson se mungesa e transferimeve ka pasur efekt plotësisht të kundërt me atë që e kishte parashikuar Jamie Redknapp.

“Trajneri na kishte thënë se nuk dëshironte të transferonte lojtarë të rinj vetëm sa për të thënë. Kjo gjë na ka treguar se ai ka besim te ne, kështu që ne duhet t’ia kthejmë të mirën trajnerit dhe klubit për këtë gjë”, ka thënë Kane.