Juventusi dëshiron ta ndërtojë një stadium të dytë, me 5 mijë deri në 6 mijë ulëse, për ekipin e dytë, Juventus B, si dhe për ekipin e grave.

Ata janë një ndër ekipet e vetme në Itali që e kanë stadiumin e tyre, që nga viti 2011 kur u hap stadiumi që tani quhet Allianz. Edhe pjesa rreth stadiumit tani është zhvilluar mjaft shumë, dhe tani aty ndodhen ndërtesa për stafin mjekësor, një muze, si dhe qendra e stërvitjeve, Continassa, përcjell Gazeta Express.

Ndërsa tani, Tuttosport kanë raportuar se Juventusi dëshiron ta vazhdojë zhvillimin e pronësive dhe planifikon ta ndërtojë një stadium me 5 mijë deri në 6 mijë ulëse, si shtesë e stadiumit të skuadrës së parë, Allianz.

Pjesa në të cilën Juventusi planifikon ta ndërtojë stadiumin e ri tani është duke u shfrytëzuar nga Palatorino, një fushë për aktivitete sportive. Drejtuesit e klubit italian pritet të arrijnë marrëveshja me këshillin e qytetit të Torinos, të cilët do të marrin vendim për pronën në fjalë.

Projekte të tilla veçse janë përfunduar nga Barcelona dhe Manchester City, ekipi i dytë dhe ekipi i grave i të cilëve zhvillon ndeshje në një stadium më të vogël se ai i ekipit të parë.

Skuadra e dytë e Juventusit për momentin luan në stadiumin e Alassandrias, ndërsa ekipi i grave luan në Novara.